Pas fitores së AfD-së në zgjedhjet në Saksoni-Anhalt, ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka reaguar duke e cilësuar rezultatin si “tronditës”.
Gjatë pjesëmarrjes në ekspozitën “Digital X” të Deutsche Telekom në Këln, Merkel deklaroi se si anëtare e CDU-së ndihet e prekur nga rezultati, duke theksuar: “Si anëtare e CDU-së, zemra më rrjedh gjak”.
Ish-kryetarja e CDU-së, e cila drejtoi Gjermaninë si kancelare nga 22 nëntori 2005 deri më 8 dhjetor 2021, e përshkroi rezultatin zgjedhor në Saksoni-Anhalt si një zhvillim “shokues”, duke paralajmëruar se vendi ndodhet përballë një “kthese në historinë e Republikës Federale”.
Merkel propozoi një mënyrë tjetër komunikimi me qytetarët, me qëllim përmirësimin e qasjes ndaj tyre dhe shpjegimin më të qartë të progresit të arritur.
“Qasja e personalizuar ndaj qytetarëve ndoshta është bërë më e rëndësishme se në të kaluarën”, u shpreh ajo, duke nënvizuar se “partitë demokratike duhet të kërkojnë tani më shumë kontakt me qytetarët”.
Ish-kancelarja gjermane tha se e shqetëson fakti që për shumë qytetarë faktet nuk kanë më të njëjtën rëndësi dhe se, në vend të tyre, po marrin gjithnjë e më shumë peshë emocionet, përfshirë edhe në diskursin politik të përfaqësuesve të AfD-së.
Sipas saj, do të përbënte një hap prapa në aspektin kulturor nëse emocionet do të merrnin përparësi dhe faktet nuk do të konsideroheshin më si elementi më i rëndësishëm në debatin publik. /Panorama

