Ministri i Jashtëm kroat në konferencën në Riga paralajmëron Evropën për sjelljen e Serbisë ndaj varrimit të Mlladiqit

by Nexhat

Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq Radman, ka paralajmëruar disa ministra evropianë për sjelljen e Serbisë lidhur me varrimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, duke theksuar pasojat që një qasje e tillë mund të ketë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe rrugën evropiane të Serbisë.

Sipas burimeve diplomatike të cituara nga mediat kroate, Radman e ka ngritur këtë çështje gjatë një konference ndërkombëtare në Riga të Letonisë, ku po merr pjesë në një prej forumeve kryesore vjetore për politikën e jashtme dhe të sigurisë në Evropën Veriore dhe rajonin baltik.

banner

Para konferencës, shefi i diplomacisë kroate mori pjesë në një darkë pune me homologë nga Finlanda, Irlanda, Letonia, Hungaria dhe Polonia. Diskutimet u përqendruan te zgjerimi i Bashkimit Evropian, kërcënimet hibride dhe të tjera të sigurisë nga Rusia, si dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Burimet diplomatike kanë bërë të ditur se Grliq Radman u ka theksuar partnerëve veriorë dhe aleatëve të tij sjelljen e Serbisë në lidhje me varrimin e Ratko Mlladiqit, duke shpjeguar se çfarë nënkupton kjo për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën evropiane të Beogradit.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kroacisë ka njoftuar se Grliq Radman në konferencë ka përsëritur mbështetjen e fortë të Kroacisë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ai ka theksuar gjithashtu se një nga prioritetet e Zagrebit mbetet e ardhmja evropiane e Bosnjë e Hercegovinës.

Sipas tij, zgjerimi i BE-së përbën një investim strategjik në një Evropë më të sigurt, stabile dhe të begatë. Ai ka theksuar se afrimi i Ukrainës dhe Moldavisë me BE-në është i rëndësishëm, por integrimi gradual në politika të caktuara të Unionit nuk mund ta zëvendësojë anëtarësimin e plotë, i cili vjen pasi të përmbushen të gjitha kushtet.

Grliq Radman ka paralajmëruar gjithashtu për intensifikimin e aktiviteteve hibride dhe destabilizuese të Rusisë, duke kërkuar përgjigje të koordinuar evropiane, mbrojtje të infrastrukturës kritike dhe forcim të bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe NATO-s.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe situata në Lindjen e Mesme, ku ministri kroat e cilësoi të rëndësishme ruajtjen e lundrimit të lirë dhe të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si dhe rolin e diplomacisë dhe dialogut në zgjidhjen e krizave rajonale.

Gjatë qëndrimit në Riga, Grliq Radman u takua edhe me sekretaren parlamentare të Ministrisë së Jashtme të Letonisë, Dace Melbarde. Në takim u diskutua për rëndësinë e lidhjeve të transportit, energjisë dhe digjitalizimit ndërmjet rajonit Baltik dhe Adriatikut, si dhe për forcimin e qëndrueshmërisë energjetike dhe industrisë evropiane të mbrojtjes.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy