Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka hequr dorë nga synimi për të pushtuar të gjithë Ukrainën, ndërsa sulmet ruse janë afruar edhe më shumë me kufirin polak.
“Putini nuk do ta ndryshojë qëllimin e tij. Nëse nuk jemi mjaftueshëm të fortë dhe bota nuk është e bashkuar, ai do të përpiqet të na pushtojë”, deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas kërkoi gjithashtu garanci të forta sigurie për Ukrainën, duke theksuar se ato duhet të shërbejnë si pengesë ndaj një agresioni të ri rus.
“Ukrainës i duhen garanci sigurie që do të parandalojnë një sulm dhe një pushtim të ri”, tha ai.
E ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se Moska është e gatshme të vazhdojë dialogun me Ukrainën, por nuk pranon pezullimin e operacioneve ushtarake gjatë negociatave.
“Jemi të gatshëm për negociata me Ukrainën, por jo për armëpushim”, tha Lavrov.
Pavarësisht kontakteve diplomatike, mosmarrëveshjet mes Moskës dhe Kievit mbeten të thella. Një nga çështjet kryesore në negociata është statusi i ardhshëm i Donbasit dhe territoreve të tjera të pushtuara.
Përshkallëzohen sulmet ndaj infrastrukturës
Moska dhe Kievi kanë intensifikuar sulmet me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës energjetike, ekonomike dhe civile.
Në Odessa, të paktën pesë persona u plagosën nga një sulm, ndërsa ushtria ukrainase njoftoi se kishte goditur një rafineri në jug të Rusisë.
Ndërkohë, Marina ukrainase njoftoi për zhvillimin e betejës së parë me dronë detarë në Detin e Zi, një zhvillim që tregon përdorimin në rritje të sistemeve pa pilot në konflikt.
Me sulmet që po afrohen gjithnjë e më shumë me kufirin e një vendi anëtar të NATO-s, shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës në Ukrainë po rriten në Evropë.
Sulmet ruse pranë kufirit me Poloninë
Sulmet ruse janë afruar ndjeshëm me kufirin polak. Një sulm goditi pikën kufitare ukrainase-polake në Jahodin, rreth 800 metra nga kufiri me Poloninë.
Pika kufitare u mbyll përkohësisht gjatë sulmit, ndërsa një tjetër incident u regjistrua në rajonin e Volynit, ku një dron rus goditi një lokomotivë të një treni pasagjerësh rreth dy kilometra larg kufirit.
Pasagjerët u evakuuan në kohë dhe nuk pati të lënduar.
Rruga hekurudhore përdoret rregullisht nga delegacione të huaja që udhëtojnë nga Kievi. Sipas raportimeve, vetëm pak minuta para sulmit, në zonën pranë saj kishin kaluar ish-kryeministri britanik Boris Johnson, ish-kryeministri suedez Carl Bildt dhe politikanë të tjerë evropianë, të cilët po ktheheshin nga një konferencë në Kiev.
Hekurudhat ukrainase nuk e kanë përjashtuar mundësinë që objektivi i sulmit të ketë qenë një tren diplomatik.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sybiha reagoi ashpër ndaj sulmeve pranë kufirit me Poloninë.
“Terrori rus po troket drejtpërdrejt në dyert e BE-së dhe NATO-s”, deklaroi Sybiha.
Më herët, një kamion u godit gjithashtu më pak se një kilometër larg kufirit, duke shkaktuar pezullimin e përkohshëm të operacioneve në pikën kufitare Dorohusk-Jahodin.
Kryeministri polak Donald Tusk thirri një takim urgjent, ndërsa paralajmëroi për përshkallëzimin e situatës në afërsi të territorit polak.
Rusia, nga ana tjetër, pretendon se objektivat e sulmeve janë infrastruktura që përdoret për transportin e pajisjeve ushtarake nga Evropa drejt Ukrainës perëndimore

