Vijon protesta e qytetarëve në Shqipëri kundër investimit në Zvërnec, e cila sot shënon ditën e 107-të.
Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku mbajtën edhe fjalimet e rastit.
Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje kundër klasës politike, teksa protestuesit iu drejtuan gjithashtu SPAK-ut, duke kërkuar veprime të drejtësisë.
Protestuesit dolën me një deklaratë lidhur me atë që e cilësojnë si dhunë policore ndaj tyre.
Aktivistja Luçiana Kokaj deklaroi se ndërhyrja e policisë përbën, sipas saj, tejkalim të kompetencave dhe se protesta do të vijojë pavarësisht presionit të forcave të rendit.
“Sot protestuesit u përballën me dhunë e represion policor, si në Zvërnec. Kjo dhunë nuk mund të injorohet, duhet dënuar me forcë të lartë, jo vetëm për tejkalim kompetencash, por po përdoret për të frikësuar qytetarët”, u shpreh Kokaj.
Ajo theksoi se protestuesit do të vijojnë të jenë në shesh, duke e cilësuar bashkimin qytetar si forcën e tyre.
Protesta nisi më 31 maj, fillimisht si reagim ndaj projektit të investimit turistik të planifikuar në Zvërnec.
Në vijim, organizatorët kanë artikuluar edhe kërkesa më të gjera politike, duke nisur nga largimi i klasës politike, duke vijuar me kërkesa si anullimi i paketës së maleve, shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura…etj

