Qytetarët u mblodhën sërish sot në sheshin “Skëndërbej”, në protestën e 108-të kundër investimit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë, duke kundërshtuar projektin dhe duke parashtruar edhe kërkesa lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Gjatë fjalimeve të mbajtuara para Kryeministrisë, protestuesit iu drejtuan SPAK-ut, duke kërkuar veprime të drejtësisë.
Aktivisti Arben Kola bëri thirrje për vijimin e protestave. Gjatë fjalës së tij, Kola kërkoi arrestimin e zyrtarëve të lartë, duke iu drejtuar edhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të vijojë me hetimet dhe arrestimet.
“I bëjmë thirrje SPAK-ut: vazhdo me arrestime. I vetmi institucion që bën të mundur çlirimin e Shqipërisë nga kapja e mafies antishqiptare”, tha ai.
Një nga protestueset u ndal tek fondet në bujqësi. Sipas saj prej tre vitesh bujqësia nuk merr asnjë ndihmë nga Bashkimi Evropian për shkak të “vjedhjeve të fondeve”.
Protesta nisi më 31 maj, fillimisht si reagim ndaj projektit të investimit turistik të planifikuar në Zvërnec.
Në vijim, organizatorët kanë artikuluar edhe kërkesa më të gjera politike, duke nisur nga largimi i klasës politike, duke vijuar me kërkesa si anulimi i Paketës së Maleve, shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, e tjerë

