Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për lënien në fuqi të masës së sigurisë ndaj Erion Veliajt, reagon avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ndreca e cilëson vendimin një zhvillim “jashtëzakonisht shqetësues” për shtetin e së drejtës, sigurinë juridike dhe demokracinë, duke ngritur pikëpyetje mbi efektin detyrues të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Avokati paralajmëron se mbrojtja do të përdorë “çdo mjet juridik” të parashikuar nga Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare, ndërsa argumenton se çështja shkon përtej rastit individual të Veliajt dhe prek edhe ushtrimin e mandatit të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë përbën një zhvillim jashtëzakonisht shqetësues për shtetin e së drejtës, sigurinë juridike, të drejtat themelore dhe mbi të gjitha, për demokracinë në këtë vend. Duke lënë në fuqi një vendimmarrje të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ky vendim praktikisht ka lënë pa efekt detyrues vendimin e autoritetit më të lartë kushtetues të vendit.
Sigurisht, do ta analizojmë me përgjegjësi arsyetimin e plotë. Por rezultati i shpallur sot ngre një pyetje dramatike: çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen efektivisht? Kur një përfundim i tillë nuk gjen shpjegim bindës në Kushtetutë dhe në ligj, atëherë shkaqet duhen kërkuar përtej argumenteve juridike dhe jashtë sallës së gjyqit.
Pasojat shkojnë përtej një procesi individual. Ato mbajnë peng ushtrimin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, funksionimin normal të institucionit dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë. Prej 19 muajsh, qytetarët e Tiranës janë privuar nga kryetari që kanë zgjedhur. Z. Erion Veliaj prezumohet i pafajshëm dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, ndonëse hetimi ka përfunduar prej një viti dhe çështja ndodhet në gjykim.
E gjithë kjo nuk është arsye për t’u dorëzuar, por për ta vijuar betejën. Mund ta izolojnë dhe t’i kufizojnë mundësinë për të folur, por nuk mund ta mundin politikisht nëpërmjet vendimeve gjyqësore. Një politikan mundet me votë, përballë qytetarëve, dhe jo përmes “laëfare”-it.
Ne do të përdorim çdo mjet juridik që parashikon Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare.
Shqipëria meriton një drejtësi të standardeve evropiane, e cila garanton të drejtat, respekton vendimet kushtetuese dhe mbron demokracinë, mjetin më të lartë që qytetarët kanë në dorë për të vendosur se kush i përfaqëson dhe kush e drejton vendin”, shkruan Ndreca./TCh/

