Kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi pas humbjes ndaj Austrisë tha se kishte rast të mirë shënimi në minutat e para të ndeshjes, për të cilin thotë se mund të ndryshonte fatin e ndeshjes po ta realizonte në gol.
Ai tha se e merr përgjegjësinë si kapiten i skuadrës, por shtoi se Kosova para vetes ka një tjetër përballje të fortë të enjten kundër Izraelit.
Sipas, Muriqit ndeshja ndaj Izraelit mund të jetë determinuese për fatin e Kosovës në këtë grup të Nations League
“Para se të vinim këtu e kemi ditur se e kemi një kundërshtar të fortë, faktikisht kemi besuar në lojën tonë që e kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe e kemi një lojë të shkëlqyer, edhe këtu kishim mijëra shqiptarë… Pata rastin në minutat e para të lojë, po ta kisha shndërruar në gol ndoshta do të kishim folur më ndryshe. E marr përgjegjësinë e rastit, si kapiten i ekipit, më vjen keq. Pas tre ditëve e kemi një lojë vitale për neve që mund me përcaktu rrugëtimin tonë në grup. Kjo lojë ka përfunduar, do bëjmë analizën tonë, kemi shumë pak kohë për t’u rigjeneruar për duelin e ardhshëm. Na pret një skuadër si Izraeli që si ekip luajnë futboll të mirë”, tha Muriqi

