Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se Komisioni për Legjislacion ka miratuar gjashtë ligje, përfshirë edhe atë për Byronë Shtetërore, që i kanë emëruar si Pakoja e Reformës në Drejtësi.
“Nga luftimi i pasurisë së pajustifikueshme, te integriteti dhe përgjegjësia e gjyqtarëve e prokurorëve, fuqizimi i Këshillave dhe forcimi i Akademisë së Drejtësisë, këto 6 ligje prekin themelet e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës. Këto 6 ligje janë fundamenti i reformës së thellë të sistemit të drejtësisë, për të cilën jemi zotuar para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qytetarët e vendit tonë e presin këtë prej shumë vitesh. Shteti ligjor, kudo dhe në çdo strukturë, nuk do të mbetet vetëm një premtim”.
Gërvalla tha se për këtë është bërë një “punë kolosale” nga institucionet e sistemit të drejtësisë dhe se tash pas miratimit nga Qeveria dhe Komisioni për Legjislacion, 6 projektligjet janë “vetëm një hap larg” Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Jam e bindur se edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta mbështesë Byronë Shtetërore dhe Pakon e Reformës në Drejtësi. Reforma në drejtësi duhet dhe do të bëhet realitet”.

