Kryeministri Albin Kurti, tha pas takimit me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen se vlerësuesit e pavarur kanë konfirmuar se Kosova ka pasur sukses, ndër tjerash, “në avancimin e demokracisë”.
Kurti tha në një konferencë të përbashkët me Von der Leyen se “përderisa në rajonin tonë ka autokraci elektorale, Kosova është demokraci elektorale”.
Ai u mundua të bënte humor me zgjedhjet e shpeshta parlamentare në vend.
“Zgjedhjet tona janë të lira, të drejta dhe konkurruese. Dhe po, ato duhet të mbahen një herë në 4 vjet, e jo dy herë në vit”, tha Kurti, duke u kthyer kah Von der Leyen me buzëqeshje.

