Nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, i ka reaguar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila tha se “më e rëndësishme është ta zgjedhim presidentin sesa të votojmë ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara”.
Çitaku tha se prioritetet i cakton populli, duke thënë se ai që 17 ditë po del në rrugë për të protestuar për UÇK’në.
“UÇK-ja është mbi çdo temë e çdo prioritet! Prioritetet i përcakton populli. Dhe populli ka 17 ditë në rrugë për një arsye: UÇK-në. Dëgjojeni zërin e tij. Silleni ligjin në Kuvend dhe votojeni pa vonesë! Mos bëni politikë. Merrni, për një herë të vetme, vendime në interes të shtetit! JO NË EMRIN TIM!”, ka shkruar ajo.
Haxhiu më herët tha se çështja e Presidentit nuk duhet të kushtëzohet me Projektligjin e PDK’së për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Unë kam përcjellë disa prej qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës, natyrisht që nuk janë gjithmonë të njëjta, ndërrojnë nga dita në ditë, nga përfaqësuesi në përfaqësues. Pra nuk ka një konsistencë në qëndrimet e tyre. Sa i përket deklaratës së zotit Hamza, meqë është kryetari i partisë po e marr si të mirëqenë, unë nuk jam që të bëhem pazare për këtë çështje. Unë mendoj që të gjithë me përgjegjësinë më të lartë që kemi duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet që i kemi, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin se sa që ta votojmë ligjin (ndryshimet ligjore të iniciuara nga PDK-ja për ligjin për Dhomat e Specializuara)”, tha ajo.
Sipas Haxhiut, pas zgjedhjes së presidentit do të ketë mundësi që të trajtohet edhe projektligji për ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe kërkesa e Kuvendit për një strategji të përbashkët institucionale.
“Pse po e them thënë këtë? Sepse në qoftë se zgjidhet presidenti, atëherë do të kemi mundësi ta trajtojmë projektligjin, do të kemi mundësi që ta adresojmë kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për një strategji të përbashkët. Dhe për bindjen time më e qëlluar është strategjia e përbashkët ku mblidhen përfaqësuesit e institucioneve, ekspertë të fushës, ekipet mbrojtëse dhe përgatitemi e jemi në shërbim të ekipeve mbrojtëse në procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit, se sa të procedojmë nisma që ata vetë e dinë që mund të mos çojnë kurrkund”, tha ajo.

