Ka përfunduar pa ndonjë incident protesta “Jo Në Emrin Tim”, që për të 17-tën natë me radhë po organizohet kundër vendimit të Hagës, për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Fillimisht, protesta nisi në sheshin qendror të Prishtinës, e më pas, protestuesit marshuan në këmbë deri te Ministria e Drejtësisë.
Si para qeverisë, ashtu edhe para MD’së, protestuesit kërkuan të votohet ligji për Specialen.
Organizatori Çlirim Haziri, ka kërkuar ministres Donika Gërvalla që ta procedojë ligjin për Specialen, duke theksuar se ata nuk do të ‘’ndalen asnjë natë’’.
‘’Kërkesën tonë prej qeverisë e sollëm te dyert e kësaj ministrisë, te ministrja Donikë, i kërkojmë sot këtu, ta procedojë atë ligj të UÇK’së, ta procedojë se në tavolinën e saj e ka dinjitetin e kombit tonë, e ka identitetin tonë kombëtar. E ne nuk do të ndalemi asnjë natë derisa kjo ministri ta procedojë ligjin…’’, ka thënë mes tjerash Haziri.

