Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka komentuar projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit të Dhomave të Specializuara të Kosovës i cili kaloi në lexim të dytë në seancën e 6 tetorit në Kuvendin e Kosovës.
Musliu, në emisionin “Shoqet” në Klan Kosova, tha se ky ligj duhet të zbatohet dhe se ishin të vetëdijshëm që ky projektligj do të sfidohet si brenda ashtu edhe jashtë.
“Vetë fakti kur na e kemi marrë këtë iniciativë, na kemi qenë shumë të vetëdijshëm që kemi me u përballë me situata të tilla. Qoftë nga opinioni i brendshëm, qoftë nga i jashtëm. Fatkeqësisht, ka filluar më herët brenda. Si zakonisht, si për çdo temë tjetër. Por Partia Demokratike e Kosovës, është një parti e cila është pjesë e çdo procesi vendimmarrës historik institucional të Kosovës dhe ka me vazhduar me këmbëngulje me kërkuar që ky ligj me u zbatu. Dhe kërkojmë prej secilit që ta përkrahë këtë nismë. Por mbi të gjitha, kërkojmë prej shtetit të Kosovës që me kërku që ky ligj me u zbatu”, tha ajo.
Musliu tha se gjatë mandateve të saja si deputete ka sfiduar edhe Qeverinë e Kosovës dhe Avokatin e Popullit që institucionet të bëjnë më shumë lidhur me procesin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
“Ligjet në fund të ditës janë për qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk janë për partitë politike. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur po u konvenon po thonë UÇK-ja nuk është veç e juaja. Kur s’po ju konvenon po thonë jo, bëjeni ju. Pse s’e ka bërë Partia Demokratike? Pse s’e ka bërë shteti i Kosovës këtë punë deri tash? Në çdo rast, si përfaqësuese e Partisë Demokratike të Kosovës, përveç që e kam ngritur zërin, unë kam sfiduar me pyetje parlamentare edhe qeverinë. Kam sfiduar edhe Avokatin e Popullit”, shtoi deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

