Është mbajtur këtë të martë në Tiranë protesta e 135-të kundër qeverisë. Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij, si dhe krijimin e një qeverie teknike.
Në përfundim të fjalimeve, protestuesit vijuan marshimin drejt hyrjeve kryesore të godinës së Kryeministrisë, duke ndryshuar itinerarin e protestës.
Ky veprim erdhi pasi aktivisti Edison Lika njoftoi se kryeministri Edi Rama ndodhej në ambientet e Kryeministrisë. Pas këtij njoftimi, protestuesit u zhvendosën drejt njërës prej hyrjeve të godinës.
Menjëherë pas lëvizjes së tyre, forca të shumta policie u pozicionuan në zonë dhe krijuan një kordon për të penguar afrimin e protestuesve drejt hyrjes së Kryeministrisë.

