Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, duke iu referuar sulmeve terroriste në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit, ka nënvizuar se, pavarësisht kërcënimeve serioze dhe përpjekjeve për destabilizim, siç është shprehur, institucionet e Kosovës kanë dëshmuar vendosmëri dhe kapacitet për t’u përballur me këto sfida, duke mbrojtur sigurinë e vendit, me mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve transatlantikë.
Këto komente ai bëri në edicionin e 30-të të Forumit 2000 në Pragë, në panelin “Bridging the Divide – Crafting a Transatlantic Roadmap for Tech & Economic Security”, ku diskutoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Gjatë diskutimit, Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Republika e Kosovës është dëshmi konkrete e suksesit të bashkëpunimit transatlantik. Nga një vend i shkatërruar nga lufta në një demokraci që sot po lulëzon në paqe, Kosova ka shënuar përparim të vazhdueshëm falë qëndrueshmërisë së institucioneve të saj dhe partneritetit të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”
“Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se përvoja e Republikës së Kosovës dëshmon rezultatet konkrete të unitetit transatlantik dhe rëndësinë e ruajtjes së këtij partneriteti për sigurinë dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën për media.

