Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, pasi Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka ngritur shqetësime për mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe vonesat në procesin përgatitor.
Kreu i Prishtinës ia atribuoi një pjesë të vonesave edhe kërkesës së kryeministrit Kurti për ndryshimin e emrit të ngjarjes nga “Prishtina 2030” në “Kosova 2030”, si dhe insistimit që kryeministri të jetë kryetar i bordit drejtues.
“Edhe ta bëj edhe një gjë shumë të qartë: dy vjet, dy vjet i kemi humbur sepse kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që emri i lojërave mesdhetare të ndryshohet nga Prishtina 2030 në Kosova 2030. Natyrisht, kjo kërkesë nuk është aprovuar, sepse në të gjithë botën lojërat mesdhetare mbajnë emrin e qytetit.
Absurditeti tjetër ka qenë kërkesa e tij, apo insistimi i tij, që kryeministri të jetë kryetar i bordit drejtues, një praktikë e paparë faktikisht askund tjetër. Pra, vetëm te ne kryeministri kërkon të jetë edhe kryetar i bordit drejtues i lojërave mesdhetare, derisa natyrisht ka shumë pak kohë, apo hiç kohë, sepse ka punë të tjera më të mëdha për t’u marrë”, tha Rama.

