Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit J.P. dhe një personi juridik, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Sipas aktakuzës, më 19 janar 2024, i pandehuri J.P., në cilësinë e drejtorit dhe personit përgjegjës të kompanisë “M… P..” SH.P.K., gjatë dorëzimit të ofertës në tenderin e shpallur nga Ministria e Shëndetësisë për “Furnizim me material shpenzues medicinal nga LE (Lista Esenciale)”, dyshohet se ka paraqitur dokumentacion me të dhëna të rreme, .
“Në këtë aktivitet prokurimi, grupi i operatorëve ekonomikë kishte ofertuar për Lotin 1 në vlerë prej 344,955.77 eurosh dhe për Lotin 3 në vlerë prej 169,012.36 eurosh”, duke arritur një vlerë të përgjithshme prej mbi gjysmë milioni euro.
Në dosjen e prokurorisë theksohet se në mesin e dokumentacionit të dorëzuar ishte përfshirë një certifikatë e standardit ISO e lëshuar nga autoriteti “NQA” për një prodhues nga Kina, e cila shërbente si dëshmi për kapacitetet teknike dhe profesionale.
Hetimet kanë zbuluar se kjo certifikatë kishte skaduar dhe ishte anuluar që nga tetori i vitit 2022, ndërsa afati i vlefshmërisë në dokumentin e dorëzuar dyshohet se ishte ndryshuar artificialisht nga data 18.10.2022 në 18.10.2024.
Organi i akuzës thekson se ky veprim është kryer me dashje me qëllim vënien në lajthitje të autoritetit kontraktues gjatë vlerësimit të ofertave dhe përfitimin e kontratës nga shoqëria tregtare në fjalë.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës kompetente që, pas administrimit të provave në shqyrtimin gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë, të dënohen sipas ligjit dhe t’u shqiptohet masa e ndalimit të pjesëmarrjes në procedurat e prokurimit publik.

