Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, po has vështirësi në mësimin e gjuhës spanjolle, pavarësisht se ka rreth dy vjet e gjysmë që punon në klubin katalunas.
Tekniku gjerman 61-vjeçar ka pranuar se mosha po ia vështirëson përvetësimin e gjuhës, ndërsa kjo situatë është kthyer në një burim frustrimi për të.
Megjithëse ka dy vjet e gjysmë në Barcelonë, Hansi Flick ende nuk ka arritur ta përvetësojë gjuhën spanjolle në nivelin që do t’i mundësonte të komunikonte lirshëm me futbollistët.
Sipas raportimit të emisionit “Barça Reservat” në Catalunya Ràdio, trajneri 61-vjeçar gjerman ia atribuon këto vështirësi edhe moshës, duke pranuar se mësimi i një gjuhe të re në këtë fazë të jetës nuk është i lehtë. Kjo situatë thuhet se është kthyer në burim frustrimi për të, aq sa Flick thuhet se ka hequr dorë pjesërisht nga përpjekjet për ta mësuar gjuhën.
Për të komunikuar me lojtarët, tekniku gjerman mbështetet kryesisht te ndihmësi i tij, Arnau Blanco, i cili shërben si përkthyes dhe ia përcjell futbollistëve udhëzimet e tij.
Interesant është fakti se Barcelona nuk e konsideron këtë si problem serioz. Sipas raportimit, klubi preferon që Flick të vazhdojë të komunikojë në anglisht gjatë konferencave për media, për të shmangur keqkuptimet që mund të lindin nga përdorimi jo i saktë i spanjishtes.

