Arrestohen dy persona afër Zubin Potokut, i treguan vetë policisë që kishin “armë të gjetura në një thes”

by Nexhat

Policia e Kosovës ka sekuestruar katër armë zjarri, përfshirë një AK-47 dhe tri armë të tipit M-48, gjatë një kontrolli rutinor të një automjeti në fshatin Gazivod të Zubin Potokut.

Rasti ka ndodhur të dielën, rreth orës 16:15, kur policia ndaloi një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin dy persona.

banner

Gjatë kontaktit me policinë, drejtuesi i automjetit deklaroi se armët i kishte gjetur në një thes, disa metra larg vendit ku ishte ndaluar.

Të dy personat u arrestuan dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, policia kontrolloi edhe adresat e tyre të banimit në Mitrovicën e Jugut, ku nuk u gjetën sende të kundërligjshme.

Pas intervistimit në cilësinë e të dyshuarve, ata u liruan në procedurë të rregullt. Rasti po hetohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Komunikata e plotë:

Policia ndalon një automjet në Zubin Potok, sekuestron katër armë zjarri

Mitrovicë veri 01.11.2026

Më datën 01.11.2026, rreth orës 16:15, zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Zubin Potok, në fshatin Gazivod, kanë ndaluar për kontroll rutinor një automjet me targa vendore, të cilin e drejtonte personi A.B., i lindur në vitin 1993, ndërsa pasagjer ishte personi I.M, i lindur në vitin 1973.

Gjatë kontaktit me personat, zyrtarët policorë i kanë pyetur nëse posedonin ndonjë send të kundërligjshëm. Me këtë rast, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se posedonte armë, të cilat sipas tij, i kishte gjetur në një thes, disa metra larg vendit ku ishte ndaluar automjeti.

Zyrtarët policorë, duke vepruar me profesionalizëm dhe duke zbatuar masat e nevojshme të sigurisë, fillimisht kanë arrestuar dy personat. Më pas, gjatë kontrollit të automjetit, janë gjetur dhe sekuestruar katër (4) armë zjarri, njëra prej tyre e llojit AK-47 dhe tri armë të tjera të llojit M-48.

Lidhur me rastin dhe veprimet e ndërmarra policore është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar kryerjen e kontrollit në adresat e banimit të dy personave në Mitrovicë të Jugut. Gjatë kontrollit në këto adresa nuk është gjetur ndonjë send i kundërligjshëm.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, të dy personat janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, sipas procedurave ligjore. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do të hetohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës fton të gjithë qytetarët që, në rast se hasin në armë apo mjete të tjera të kundërligjshme, të mos i prekin ato, por të njoftojnë Policinë përmes numrit emergjent 192.

Policia mbetet e përkushtuar që, në interes të sigurisë së përgjithshme, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin dhe largimin e armëve ilegale nga duart e personave të paautorizuar.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy