Trajneri i Sassuolos, Alberto Aquilani, e kishte ‘mbrojtur’ publikisht Arijanet Muricin, duke shprehur respekt dhe besim të madh për portierin e kombëtares së Kosovës, por edhe e kritikoi.
“Kam respekt të pafund për këtë lojtar. E shoh si portier me potencial të konsiderueshëm. Ai mund të luajë në çdo ligë në botë. Është e qartë se ai po ka disa vështirësi, gabimet e tij të përsëritura po e ndikojnë atë dhe ekipin. Kemi folur për këtë dhe ai e di, është një djalë i sjellshëm dhe inteligjent. Duhet ta ndihmoj atë dhe ekipin, dhe kjo është diçka që po e marr në konsideratë”, kishte thënë ai.
Megjithatë, pas deklaratave të teknikut italian, situata për portierin kosovar ndryshoi.
Murici u la në bankë rezervistësh në tri ndeshjet e fundit të Sassuolos, por kjo nuk rezultoi të ishte zgjidhja për problemet defensive të skuadrës.
Sassuolo fillimisht u mposht 2-0 nga Como, ndërsa më pas pësoi një tjetër humbje të rëndë, këtë herë 2-6 nga Lazio, para se të mposhtej sonte 4-2 nga Fiorentina.
Pra, në tri takimet pa Muricin në portë, skuadra e Aquilanit pranoi plot 12 gola.
Kjo e bën edhe më interesante situatën rreth portierit të Kosovës, i cili pas gabimeve të bëra në ndeshjen ndaj Frosinones, ku Sassuolo humbi 4-2, përfundoi në bankën rezervë.
Tashmë, tri ndeshjet e fundit kanë treguar se problemet e Sassuolos nuk qëndrojnë vetëm te porta. Edhe pa Muricin mes shtyllave, mbrojtja e skuadrës italiane vazhdoi të ishte tepër e brishtë, duke pranuar 12 gola në vetëm 270 minuta futboll.
Për Muricin, mbetet të shihet nëse Aquilani do t’ia rikthejë besimin dhe nëse portieri kosovar do të ketë mundësinë të rikthehet në formacionin titullar.

