Një aeroplan i kompanisë ajrore “Air Serbia”, i cili ishte nisur mbrëmjen e së martës nga aeroporti “Nikola Tesla” në Beograd drejt Moskës, është kthyer mbrapsht pasi kishte arritur në jug të Lituanisë.
Sipas informacioneve jozyrtare të portalit serb “Nova”, në aeroplan ndodheshin kryetari i Lëvizjes Socialiste, Alleksandar Vullin, drejtori i kompanisë “Srbijagas”, Dushan Bajatoviq, si dhe kryetari i Partisë Popullore Serbe (SNP), Nenad Popoviq.
Sipas burimeve të këtij mediumi, kthimi i aeroplanit është urdhëruar pasi është konstatuar se Vullin nuk i ishte nënshtruar kontrollit të sigurisë, ndonëse kishte arritur të hipte në aeroplan
“Nova” raporton se Vullini, pavarësisht se nuk e kishte kaluar kontrollin e sigurisë, kishte arritur të futej në aeroplan, ndërsa dyshohet se dikush e kishte ndihmuar për ta bërë këtë.
Urdhrin për kthimin e aeroplanit në Beograd, sipas të njëjtave burime, e kishte dhënë drejtori i sigurisë korporative të aeroportit të Beogradit, Millan Kuç, ish-pjesëtar i njësisë speciale “Kobrat”.
Sipas portalit, Kuç kishte vërejtur në pamjet e kamerave të sigurisë se procedurat nuk ishin respektuar dhe se Vullin nuk e kishte kaluar kontrollin e nevojshëm. Për këtë arsye, ai kishte urdhëruar kthimin e aeroplanit.
Aeroplani, me numër fluturimi JU134, ishte nisur nga Beogradi në orën 18:48 dhe kishte vazhduar fluturimin deri në jug të Lituanisë, ku kishte marrë urdhrin për t’u kthyer.
Megjithatë, fluturimi nuk pritet të anulohet. Sipas “Nova”, aeroplani do të niset sërish drejt Moskës pas një kontrolli të detajuar dhe me një ekuipazh tjetër.
Mediumi serb ka bërë të ditur se ka tentuar të kontaktojë Vullinin, por ai fillimisht ka qenë i paarritshëm dhe më pas nuk u është përgjigjur telefonatave.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Sërxhan Millivojeviq, kishte publikuar një mesazh në rrjetin social “X”, duke ngritur pyetjen se “kush po largohej drejt Moskës me fluturimin e orës 18:30”.

