Më 25 nëntor, Bashkimi Europian do të presë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë), të cilat ende synojnë zyrtarisht anëtarësimin në bllokun europian.
Ndonëse këto samite mbahen dy herë në vit dhe zakonisht nuk prodhojnë shumë lajme, dy samitet e mëparshme – ai në Bruksel në dhjetor të vitit 2025 dhe ai në Mal të Zi në qershor të këtij viti – u karakterizuan nga tensione të shumta politike, të paktën sipas standardeve të BE-së. Në qendër të përplasjeve të shumta ishte presidenti i atëhershëm serb, Aleksandar Vuçiq, i njohur për qëndrimet e tij konfrontuese.
Tashmë që Vuçiq është larguar nga pushteti pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, në të cilat triumfoi Lëvizja Studentore, ende pa një lider të përcaktuar dhe me përbërje heterogjene, ky samit do të jetë testi i parë i vërtetë për të parë nëse BE-ja është në gjendje t’i afrojë vendet e rajonit që synojnë anëtarësimin drejt anëtarësimit eventual në Union.
Një draft paraprak i deklaratës, që zakonisht nënshkruhet në fund të samitit e të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë (RFE/RL), tregon se Brukseli të paktën po përpiqet të bëhet më këmbëngulës në kërkesat e tij dhe t’i përcjellë disa mesazhe, përfshirë edhe udhëheqjes së re në Beograd – nëse ajo do të jetë formuar deri në kohën e mbajtjes së samitit.
Drafti aktual, sipas REL, përmban formulime më të ashpra për të dyja çështjet, në një mesazh të qartë drejtuar udhëheqjes së ardhshme të Listës Studentore. Gjatë fushatës zgjedhore, por edhe pas fitores në zgjedhje, kjo lëvizje ka shprehur rezerva të mëdha lidhur me nevojën për dialog politik të nivelit të lartë me Kosovën dhe ndryshimin e marrëdhënieve të afërta të Serbisë me Kremlinin.
Referenca ndaj dialogut zë një vend shumë më të rëndësishëm në tekst sesa në vitet e mëparshme dhe shoqërohet me një urgjencë më të madhe politike. Në të theksohet se “mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dyja palët në rrugën e tyre drejt integrimit evropian. Të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë, të lehtësuar nga BE-ja, duhet të zbatohen”, siç raporton REL.
Herën e kaluar, Beogradi, në krye me Vuçiqin, kishte refuzuar të mbështeste formulimin në tekst që u kërkonte vendeve të rajonit të harmonizoheshin me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, si dhe kundërshtoi kushtëzimin e propozuar në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë.

