Kosova pa regjistër të qasshëm për koncesionet, raporti zbulon mangësitë

by Nexhat

Asnjëra nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk publikon sistematikisht detyrimet financiare nga partneritetet publiko-private.

As Kosova nuk ka një sistem të plotë dhe transparent për publikimin dhe përcjelljen e detyrimeve financiare që burojnë nga projektet e partneritetit publiko-privat (PPP) dhe koncesionet.

banner

Kjo është një nga gjetjet e Analizës Krahasuese Rajonale për Partneritetet Publiko-Private dhe Koncesionet, e cila përfshin Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas analizës, asnjëra nga këto gjashtë vende nuk publikon në mënyrë sistematike të dhënat për detyrimet financiare të drejtpërdrejta dhe ato të mundshme të shtetit për projektet individuale të PPP-ve dhe koncesioneve. Kjo e vështirëson vlerësimin e rreziqeve financiare afatgjata që këto projekte mund t’i shkaktojnë buxhetit të shtetit.

Sipas raportit, Kosova ka vetëm tri marrëveshje aktive të partneritetit publiko-privat, ndërsa deri në fund të vitit 2025, autoritetet publike kishin dorëzuar gjithsej 234 propozime për nisjen e projekteve të tilla. Këto të dhëna përfshijnë kërkesat që janë në trajtim dhe ato që pritet të shqyrtohen në të ardhmen.

Një nga problemet kryesore të evidentuara është mungesa e një sistemi të integruar digjital për publikimin dhe menaxhimin e të dhënave për koncesionet. Sipas analizës së Lëvizjes FOL, ndryshe nga projektet PPP që realizohen përmes platformës e-Prokurimi, për koncesionet nuk ekziston një bazë e strukturuar e të dhënave.

Njoftimet për koncesione publikohen në uebfaqen e Ministrisë së Financave, por dokumentet janë të shpërndara në formate Word dhe PDF dhe duhet të shkarkohen një nga një për të mbledhur informacionet për projektet. Për më tepër, portali PPPKosova.org, ku publikoheshin më parë këto të dhëna, nuk është më funksional.

Analiza evidenton se edhe pse Ligji për Partneritetin Publiko-Privat e obligon Komitetin për Partneritet Publiko-Privat të mbajë Regjistrin Kombëtar të PPP-ve, nuk ka të dhëna nëse ky regjistër është i qasshëm online. Po ashtu, mungojnë të dhënat e strukturuara që do të mundësonin pasqyrimin e të gjitha projekteve aktive dhe atyre në fazën e propozimit.

Sa i përket projekteve të evidentuara, në analizë përmenden koncesioni për Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, projekti i infrastrukturës së kompleksit të shkollave të mesme në Gjilan dhe parkingu nëntokësor në Prishtinë. Përmenden gjithashtu projekti i tri shkollave në Prishtinë dhe parkingu nëntokësor në Podujevë, të cilat janë në faza të tjera të realizimit.

Një tjetër problem është vonesa në miratimin e Ligjit të ri për Partneritetin Publiko-Privat. Sipas raportit, projektligji është përgatitur që nga viti 2019 dhe ka kaluar konsultimin publik, por ende nuk është proceduar për miratim në Kuvendin e Kosovës. Ligji aktual, i miratuar në vitin 2011, nuk është plotësisht në përputhje me Direktivën e Bashkimit Evropian për koncesionet. 

Raporti thekson gjithashtu se të dhënat për zbatimin e kontratave dhe pagesat nuk janë plotësisht të qasshme përmes platformave elektronike, duke e vështirësuar përcjelljen e obligimeve financiare dhe realizimin e projekteve.

Ndër rekomandimet kryesore janë miratimi i ligjit të ri, krijimi i një platforme të vetme qendrore për të gjitha projektet PPP dhe koncesionet, si dhe publikimi i të dhënave të hapura për të mundësuar mbikëqyrje më të madhe nga publiku.

Në nivel rajonal, analiza është realizuar në kuadër të një projekti të koordinuar nga Qendra për Komunikime Qytetare në Maqedoninë e Veriut, me pjesëmarrjen e organizatave partnere nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Lëvizjen FOL nga Kosova.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy