Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka folur për “luftë kundër LDK-së”.
Lumir Abdixhiku publikoi në Facebook një fotografi me aktivistin e plagosur dikur, Fetah Rudin, ndërsa shkroi se zhvlerësohen vrasjet e aktivistëve të partisë më të vjetër në vend se kinse “ishin UDB-ashë”.
“Ju kam thënë, mos i dëgjoni. Në fillim flasin për fotografi. Pse e kërkojnë aty. Le ta largojmë. Më pas trillojnë për gurë të mbështjellë në celofan e të nisur për në Beograd. Dikur i shpallin viktimat kufoma politike – sepse s’kanë asnjë ndjesi njeriu. Fundja, njihen veç për zhurmë, shpifje, sharje e grushte mes vete – analizë u thonë këtyre. Në fund thonë “boll më”. Janë vra sepse ishin UDB-ashë. Ju kam thënë me kohë. Që nga fillimi, këta kanë agjendë luftën kundër Lidhjes Demokratike. Se durojnë si ide, se pranojnë si histori, frikësohen nga e ardhmja. Prandaj me aq zell tregojnë çfarë duhet të ndodhë në këtë shtëpi. Shikovca u themi ne. I bajmë në qafë. Tash e gjashtë vjet, ditë e natë”, shkroi ai.
Abdixhiku kërkoi veprim institucional.
“Pres reagim të fortë nga Komisioni i Pavarur i Mediave. Ofendimet ndaj vrasjeve politike lëndojnë kujtesën historike dhe cenojnë themelet e Republikës. Familjet që tash e sa vjet presin të mësojnë kush ua vrau më të dashurit, sot dëgjojnë se përse ata e paskan merituar vrasjen. Ofenduesit nuk i edukojmë dot, por ky shtet ka institucione. Le të veprojnë!”

