Të rriturit nën moshën 45-vjeçare në Britani tani bëjnë seks mesatarisht vetëm dy herë në muaj, krahasuar me katër herë në muaj në periudhën 1990-1991 dhe tri herë në periudhën 2010-2012, sipas një studimi të publikuar në revistën mjekësore The Lancet.
Gjetjet vijnë nga një raport i rëndësishëm që tregon se njerëzit në Britani po bëjnë më pak seks se më parë, ndërsa këtë prirje po e nxisin kryesisht grupmoshat më të reja.
Në të gjithë popullsinë e rritur, 77 për qind e personave të moshës 16 deri në 59 vjeç kanë bërë seks të paktën një herë gjatë vitit të fundit.
Mesatarisht, gratë raportuan se kanë bërë seks një herë në muaj, ndërsa burrat raportuan se kanë bërë seks dy herë në muaj.
Rënia në grupmoshat më të reja nxitet kryesisht nga fakti se një në tre persona të moshës 16 deri në 24 vjeç nuk kanë bërë kurrë seks, ndërsa në periudhën 1990-2010 kjo përqindje ishte rreth një në pesë.
Frekuenca ka vazhduar të bjerë edhe gjatë dekadës së fundit te personat e moshës 35 deri në 44 vjeç, nga tri herë në muaj në dy herë.
Te personat e moshës 45 deri në 59 vjeç, gratë raportuan se mesatarisht nuk kishin bërë seks gjatë muajit paraprak, ndërsa burrat raportuan se kishin bërë seks dy herë.
Këto shifra përfshijnë personat që nuk kanë bërë kurrë seks dhe ata që nuk kanë bërë seks gjatë vitit të fundit.
Studimet zbuluan gjithashtu se sjelljet seksuale në internet janë të përhapura, veçanërisht te të rinjtë.
Gjysma e grave të reja dhe pothuajse nëntë nga 10 burra të rinj raportojnë se kanë parë pornografi gjatë vitit të fundit.
Në mesin e të gjitha grupmoshave nga 16 deri në 59 vjeç, 37 për qind e grave dhe 81 për qind e burrave kishin parë pornografi.
Studimet zbuluan se pak më pak se gjysma e burrave dhe grave të reja kanë dërguar ose marrë imazhe seksuale.
Ata shtuan: “Së bashku me rënien e marrëdhënieve seksuale fizike, kjo mund të sinjalizojë një zhvendosje nga intimiteti fizik me partnerin drejt sjelljeve seksuale më individuale dhe atyre në internet”.

