Përballja e shumëpritur mes Tyson Furyt dhe Anthony Joshuas mund të mos zhvillohet, pas deklaratave të bujshme të bashkëshortes së Furyt, Paris, lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.
Në një dokumentar që pritet të publikohet së shpejti për jetën e boksierit britanik, Paris ka zbuluar se bashkëshorti i saj ka vuajtur nga probleme serioze të shëndetit mendor, duke përmendur edhe skizofreninë.
Kjo deklaratë mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e duelit të planifikuar për muajin e ardhshëm në Cardiff, pasi rregulloret e Bordit Britanik të Kontrollit të Boksit (BBBofC) nuk lejojnë pjesëmarrjen në gara të boksierëve që vuajnë nga çrregullime të caktuara psikologjike, përfshirë depresionin dhe skizofreninë.
Sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Robert Smith, ka bërë të qartë se Fury nuk do të lejohet të ngjitet në ring nëse mjekët nuk e konfirmojnë se është në gjendje të përballet me rrezikun e një dueli profesionist.
“Një gjë është e sigurt. Tyson nuk do të lejohet të hyjë në ring nëse mjekët tanë nuk janë të bindur se nuk ekziston rrezik për shëndetin e tij. Ne po i shqyrtojmë të gjitha informacionet lidhur me gjendjen e tij dhe do të marrim një vendim për autorizimin e meçit në ditët e ardhshme”, deklaroi Smith për “Daily Mail”.
Fury, 38-vjeçar, ka folur edhe më parë hapur për betejat e tij me shëndetin mendor. Në vitin 2016, ish-kampioni i botës në kategorinë e rëndë kishte zbuluar se ishte diagnostikuar me çrregullim bipolar.
Në dokumentarin e ri, ai rrëfen edhe periudhat më të errëta të jetës së tij, duke treguar se kishte dëgjuar zëra në kokën e tij që e nxisnin të vetëvritej.
“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë errësirën në të cilën ndodhesha. Ishte sikur të jetoja në ferr. Besoja 100 për qind se do të përfundoja në një dhomë të mbyllur, me mure të mbushura, dhe kjo më frikësonte shumë”, kishte rrëfyer Fury.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij Paris ka treguar edhe për një episod të vitit 2016, kur boksieri ishte dërguar në spital pas dyshimeve për një sulm në zemër. Ajo ka përshkruar gjendjen e tij dhe momentet kur Fury shfaqte shenja të ankthit të rëndë dhe mendimeve paranojake.
Megjithatë, vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen e britanikut në duelin ndaj Joshuas pritet të merret pas vlerësimit mjekësor nga autoritetet përkatëse.

