Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASh) ka deklaruar se ka ndjekur dhe trajtuar në vijimësi situatën në veri të Kosovës.
Ata kanë shprehur shqetësimin lidhur me paqëndrueshmërinë dhe sigurinë në komunat me shumicë serbe, si rrjedhojë e aktivitetit destabilizues e kriminal të strukturave parapolitike e paraushtarake paralele që veprojnë në këto komuna, të mbështetura nga Beogradi nëpërmjet agjencive të inteligjencës serbe, “që po konfirmojnë dita ditës se janë proxy të shërbimeve sekrete ruse”.
“Në lidhje me zhvillimet e fundit, ritheksojmë se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe integriteti i saj territorial është i pacenueshëm. Zbatimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve demokratike e ka shndërruar Republikën e Kosovës në një shembull demokracie për të gjithë rajonin dhe në një kontributore të pazëvendësueshme të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon e më gjerë”, thuhet në reagimin e KASh-it.
Në komunikatën e tyre thuhet se zbatimi i ligjit në të tërë territorin e Kosovës është bazë themelore për funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë, “çka e bërë atë shembullin që përmendëm më lart”,
“KASH vlerëson profesionalizmin e strukturave të sigurisë së Republikës së Kosovës në qetësimin e situatës dhe jetësimin e hapave dhe vendimmarrjeve demokratike, institucionale e kushtetuese, të realizuara së fundmi në veriun e vendit, për cka bashkësia ndërkombëtare shprehu mbështetje të plotë”, thuhet tutje.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka shprehur bindjen se qëndrueshmëria dhe zbatueshmëria e veprimeve më se të justifikuara të qeverisë së Kosovës në drejtim të qetësimit të situatës ne veriun e vendit “do të jenë të plota e eficiente në se qeveria do të vijojë të jetë e angazhuar në një konsultim dhe koordinim të pandërprerë me miqtë e saj, me BE dhe SHBA”
“Në të njëjtën kohë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të ruajë neutralitetin dhe të mbështesë Republikën e Kosovës që të vendosë sundimin e ligjit dhe të kushtetutës në të gjithë territorin e saj, si dhe të dënojë e veprimet dhe provokimet nacionaliste të botës serbe, të Serbisë e të Presidentit të saj, sikundër ndodhi dhe me deklaratat e fundit të papërgjegjshme të tij”.