Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar ndaj një fushate linçuese ndaj gazetares, Dafina Demaku, e cila është etiketuar si “pro serbe” dhe “e dyshuar si agjente e UDB-së”.
AGK-ja e ka dënuar këtë gjuhë ndaj saj, të cilën e cilëson si denigruese dhe linçuese.
”Dafina Demaku – kryeredaktore në portalin online Periskopi, dhe analiste e rregullt në televizionin kombëtar, KTV, e ka njoftuar AGK-në për një fushatë denigruese dhe linçuese ndaj saj që po zhvillohet në rrjete sociale, kryesisht në TikTok”, thuhet në reagim.
”Në disa video, Demaku përshkruhet si “gazetare pro-serbe” dhe “e dyshuar për agjente të BIA-s serbe”. AGK-ja, e dënon ashpër këtë fushatë kundër Demakut, që e cenon direkt sigurinë e saj dhe të afërmëve të saj. Njëherësh, AGK-ja fton organet e sigurisë të hetojnë postimet dhe të ndërmarrin masa për të zbuluar kush qëndron prapa fushatës”, përmbyllet reagimi.