Një raport i publikuar të premten nga Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike me seli në veri të Mitrovicës thekson se sistemi i drejtësisë në pjesën veriore të Kosovës po përballet me sfida të mëdha, pas boshllëkut të shkaktuar nga dorëheqja e punonjësve serbë në nëntor të vitit 2022.
Sipas të dhënave të raportit gjithsej 144 punonjës serbë u larguan nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, 32 nga Prokuroria Themelore si dhe pesë gjyqtarë dhe 12 pjesëtarë të personelit ndihmës u larguan nga dega e Gjykatës së Apelit në Mitrovicën e Veriut
Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Dushan Radakoviç, tha se dorëheqjet ishin një lloj proteste kundër mos themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shkeljeve të tjera të marrëveshjeve të arritura në Bruksel në biseidmet Kosovë – Serbi.
“Që nga nëntori i vitit 2022 gjyqtarët shqiptarë kanë pasur vështirësi. Perceptimi pas diskutimeve të hulumtuesve tanë me gjyqtarët shqiptarë është se shumica e tyre kanë deklaruar se janë përballur me sfida pas këtyre dorëheqjeve, kryesisht nga mungesa e gjyqtarëve dhe vëllimi i madh i punës. Megjithatë, ata thonë se nuk kanë lënë boshllëqe në përmbushjen e detyrimeve të tyre. Kur pyeten për rikthimin e gjyqtarëve serbë, të gjithë deklarojnë se presin kthimin e tyre meqë kanë pasur bashkëpunim profesional”, tha ai
Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj tha se dorëheqja e punonjësve serbë në veri ka kufizuar qasjen e qytetarëve në drejtësi brenda afateve të përcaktuara. Prandaj, tha ai, gjykatat po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që t’i shpërndajnë dhe përfundojnë lëndët në tërë territorin e Kosovës.
“Kanë qenë gjithsej 27 lëndë të natyrës penale të pazgjidhura, këto lëndë janë bartur në Gjykatën e Apelit në Prishtinë dhe që të gjitha janë përfunduar. Përveç këtyre kanë qenë edhe 187 lëndë të natyrës civilo-juridike, qoftë kontestimore, jokontestimore apo edhe përmbarimore prej të cilave mund të them se rreth 80 për qind e tyre e ndoshta edhe më shumë janë të përfunduara”, tha ai.
Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se trysnia politike ka cenuar një prej arritjeve më të mëdha të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ishte integrimi i gjyqësorit në veri të vendit.
“Problematike në këtë situatë është se integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë është bërë në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Si IKD e kemi thënë vazhdimisht që edhe Bashkimi Evropian duhet ta ketë një rol më proaktiv në këtë drejtim që të mos lejojë që çështja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të jetë çështje e politikave ditore, në atë mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët serbë vazhdimisht në njëfarë forme të kërcënojnë për politika ditore me dorëheqje nga sistemi i drejtësisë”, thotë zoti Shala
Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës ende nuk i kanë miratuar dorëheqjet e dy viteve më parë, duke i mbajtur të hapura vendet e punës për gjyqtarët e prokurorët, kurdo që ata janë të gatshëm të kthehen në punë.
Zoti Shala thotë se nuk ka një afat ligjor që kufizon Këshillin Gjyqësor për miratimin e dorëheqjeve.
“Ndërsa shohim se ka dorëheqje në masë atëherë thjeshtë miratimi i tyre nënkupton në njëfarë forme një procedurë jostrategjike, një procedurë që thjeshtë lejon që të ndodhë dezintegrimi i gjyqësorit në veri dhe që kjo në fund të fundit më së shumti i dëmton qytetarët e Republikës së Kosovës. Është një situatë specifike e pa hasur më parë me të cilën është ballafaquar Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial, thjeshtë për të lënë një mundësi që të mos shkatërrohet ajo që janë dashur vite e vite për t’u arritur që është integrimi i gjyqësorit në veri të vendit”, thotë ai
Instituti i Kosovës për Drejtësi rekomandon ndërhyrjen e Bashkimit Evropian në këtë situatë për të garantuar zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga blloku për integrimin e sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës, duke tërhequr vërejtjen se përfundimi i lëndëve është i pamjaftueshëm, nëse qytetarët e asaj zone nuk kanë besimin e duhur në sistemin e drejtësisë për shkak të mungesës së punonjësve nga radhët e komunitetit serb. /VOA