Situata e sigurisë në tri komunat në veri të Republikës, është e qetë, por ende mbetet e tensionuar. Protestuesit të drejtuar nga strukturat paralele serbe në Zubin Potok, kanë vendosur të shpërndahen për sot. Në Leposaviq vazhdojnë të qëndrojnë para komunës kurse në Zveçan, gazetarët janë strehuar në ndërtesën e komunës.
Leposaviq
Trupat e KFOR-it po sigurojnë ndërtesën e komunës së Leposaviqit. Ndërkohë, edhe më tej një numër personash nga strukturat paralele serbe vazhdojnë të qëndrojnë në afërsi të kësaj ndërtese.
KFOR-i nga ana tjetër u ka kërkuar këtyre personave që të largohen në qetësi dhe të shpërndahen.
Megjithatë, edhe më tej ata vazhdojnë të qëndrojnë aty, të drejtuar edhe nga Lista Serbe.
Siç raporton gazetarja e RTK-së, Arlinda Sejda e cila ndodhet në Leposaviq, situata e sigurisë mbetet e tensionuar por megjithatë tash për tash është e qetë.
Përveç KFOR-it, prezent janë edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.
Zubin Potok
Në Zubin Potok, situata është krejt ndryshe nga ajo në Leposaviq.
Gazetarja e RTK-së, Elmina Osmani, e cila ndodhet në këtë qytezë, raporton se protestuesit të drejtuar nga strukturat paralele serbe, kanë filluar të shpërndahen.
Megjithatë, gjatë brohoritjeve, ata kanë thënë se nesër sërish do të rikthehen në vendin e njëjtë.
Pasi janë mbledhur dhe kanë diskutuar mes vete. Ata kanë vendosur që për sot të shpërndahen.
Zveçan
E situatë pak më e tensionuar është në Zveçan, pasi atje, protestuesit të drejtuar nga strukturat paralele serbe, kanë sulmuare dhe gazetarët.
Disa automjete të mediumeve nga Kosova dhe Shqipëria janë sulmuar e dëmtuar.
Siç njofton gazetarja e RTK-së, Edina Avdiu, për këtë arsye, policia ka kërkuar nga gazetarët që për shkaqe të sigurisë, të hyjnë brenda ndërtesës së komunës në Zveçan.