Regjistruesit e procesit të regjistrimit të popullsisë ditën e djeshme kanë protestuar si shenjë pakënaqësie për pagesat që kanë marrë rreth punës së tyre. Dhjetëra prej tyre ishin mbledhur për të kërkuar që pagesa e tyre të jetë në bazë të kontratës që ata kishin nënshkruar.
Por, menaxheri i projektit të regjistrimit, Ylli Shala ka thënë se ASK-ja tashmë ka formuar një Komision i cili do të merret me ankesat për pagesat e tyre
Sipas tij, të gjitha ankesat nga regjistruesit e procesit të regjistrimit të popullsisë do të verifikohen nga sistemi përkatës, për të parë nëse është bërë ndonjë lëshim teknik.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar të gjithë Regjistruesit e angazhuar gjatë Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024) se ka formuar një Komision që do të merret me shqyrtimin e të gjitha ankesave rreth pagesave për periudhën e angazhimit për punën në terren
“Meqenëse ASK-ja ka pranuar disa ankesa rreth mënyrës së pagesave, Komisioni do të merret me verifikimin nga sistemi për secilin regjistrues dhe pyetësorëve të aprovuar nga sistemi, në mënyrë që të vërtetohet ndonjë lëshim teknik që ka mund të ndodhë”, ka thënë Shala për Reporteri.net.
Por, sipas Shalës ekziston një keqkuptim nga regjistruesit rreth mënyrës së kompenzimit nga paga bruto dhe neto.
Poashtu menaxheri i këtij projekti thotë se keqkuptimi nga regjistruesit është edhe tek mënyra e përllogaritjes së pyetësorëve të plotësuar, ndërsa shton se nëse do gjejnë ndonjë lëshim teknik, mjetet do të kompensohen.
“Në bazë të ankesave të pranuara deri më tani, shihet se ka një keqkuptim nga regjistruesit rreth mënyrës së kompensimit ndërmjet pagës bruto dhe neto, mënyrës së përllogaritjes së pyetësorëve të plotësuar, si dhe në disa raste për ato intervista që sistemi i ka klasifikuar si intervista jo të rregullta. Sidoqoftë, ASK-ja do të veprojë sipas të gjitha procedurave dhe në bazë kontratës. Nëse verifikohet ndonjë lëshim teknik eventual, kompensimi i mjeteve do të kryhet menjëherë”, tha Shala