Dëshmitari Bislim Zyrapi gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të mërkurën ka folur lidhur me përgjegjësitë që ka pasur Rexhep Selimi sa i takon kohës kur është emëruar si Inspektor i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Fillimisht, avokati i Selimit, Geoffrey Roberts i tha dëshmitarit se ai për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte folur për këto përgjegjësi, raporton “Betimi për Drejtësi“
“Përgjegjësitë e tij si Inspektor i Përgjithshëm ishte që të inspektonte njësitë, gatishmërinë e tyre dhe ç’nivele operative kishin arritur. Nëse kishte mungesë disipline, do të informonte komandantin dhe kishte shumë detyra të tjera të cila nuk po më kujtohen tani”, citoi Roberts të jetë përgjigjur Zyrapi.
“Po në pika të shkurta e kam spjegu se nuk mund ta shpjegoj çdo pikë aty”, tha Zyrapi.
Më pas, Roberts pyeti dëshmitarin se a është e vërtetë të thuhet se Inspektorati i Përgjithshëm i UÇK-së nuk kishte zyrë në Divjakë.
“Po e saktë është! Nuk ka pas zyre të veçantë se unë e kam shpjegu se cilat zyre kanë pas dhe ku kanë qenë se nuk kemi pas edhe qaq shumë objekte që mund t’i vendosim që çdo sektor ta ketë zyrën e veçantë ose në shtëpi të veçantë për të zhvilluar këtë sektor. Kështu që në shumë vende ka lëvizë sektori herë në Lladrovc, herë në Bjeshkë të Berishës në Fshatin e Ri. Varësisht ku kemi mujtë ta takojmë dhe ku e kam pa”, tha dëshmitari.
Gjithashtu, Zyrapi pohoi se është e saktë ajo që ka thënë për ZPS-në se njerëzit që e shoqëronin Selimin, nuk ishin gjithmonë të Policisë Ushtarake.
“Zotëri Raci ka qenë përcjellës. Prej fillimi kur e kam njoftë Selimiin, e kam njoftë bashkë me atë që e ka vozitë e që pranë tij ka qenë”, tha tutje Zyrapi duke mohuar se kryente detyra të inspektimit.
Edhe për Alush Agushin, dëshmitari pohoi se nuk ka pasur ndonjë rol në Inspektoratin e Përgjithshëm, por që nuk ishte pjesë as e Shtabit të Përgjithshëm. Por, sipas dëshmitarit ai mbante disa ushtarë pas vete, por që nuk është e thënë që i kishte drejtpërdrejt nën urdhra.
Dëshmitari gjithashtu u pyet nga avokati Roberts se a kishte Selimi ndonjë drejtori dhe personel që vepronin nën urdhrat e tij.
“Në atë kohë, jo. Nuk ka pas”, tha dëshmitari.
Më pas, atij iu prezantua një dokument në të cilin kishte thënë se njësia speciale nuk ka të drejtë të arrestojë. Si rrjedhojë, Roberts prezantoi deklaratën e dëshmitarit që e ka dhënë gjatë kësaj periudhe në sallën e gjyqit gjatë pyetjeve të ZPS-së, e që kishte thënë se kjo metodë ishte përdorur njëherë në Zonën Operative të Pashtrikut nga Inspektori i Përgjithshëm.
Për ZPS-në, dëshmitari tregoi se e ka pasur fjalën për Rexhep Selimin dhe që nuk kishte arrestuar, por është marrë masë disiplinore si pasojë e problemeve disiplinore të cilat kanë ndodhur, por që nuk do të duhej të veprohej kështu.
“Viti ’99 më kujtohet. Diku ka qenë marsi i vitit ’99”, tha dëshmitari se i kujtohet që ka ndodhur kjo ngjarje.
Dëshmitari Bislim Zyrapi, shpjegoi se Selimi nuk ka pasur njësi të veçantë, por ka pas mundësi që ta përdorë njësinë e Policisë Ushtarake.
“Është e vërtetë që zotëri Selimi nuk ka pas njësi të veçantë, e ka pas njësinë e Policisë Ushtarake që ka mujtë me e përdorë, po edhe kur të përdoret duhet me e ditë komandanti. Nëse komandanti e ka leju që të përdoret kjo njësi është diçka tjetër. Unë e kam shpjegu vetëm në aspekte ushtarake që kjo njësi nuk mund të përdoret për këto nevoja dhe ajo është për nevojat e intervenimit në momentet e duhura dhe për zbulime-vëzhgime, por jo për arrestime. Meqenëse unë e kam shpjegu që zotëri Selimi nuk ka ba arrestime me këtë njësi në atë vend, por është përdorur se ajo njësi duhet të jetë gjithnjë e gatshme për veprim. Në këtë kontest është thënë”, tha Zyrapi
Ai tha se Inspektori i Përgjithshëm nuk i është drejtuar vetëm komandantëve të zonave për ta përdorë Policinë Ushtarake, por edhe komandantit të përgjithshëm.
“Inspektori i Përgjithshëm nuk i drejtohet veç komandantit të zonës se ka mujtë t’i drejtohet veç komandantit të përgjithshëm që ’’i kërkoj Policinë Ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe që ka mujtë ta merr ose në mungesë të tyre mund ta marrë edhe nga zonat, e që komandantit të zonave t’i kërkohet që të përdoren këto njësi. Kurse, njësitë diversante që kanë qenë në atë kohë përdoren në momentin kur në qoftë se grupet janë të armatosur dhe kundërvihen me armë, atëherë përdoren këto njësi për t’i eliminuar ato ose për t’i çarmatosur”, tha Zyrapi.
Ai shtoi se Selimi nuk e ka pasur rolin që të marrë masa disiplinore, por që të kontrollojë disiplinën. Sipas tij, të marrin masa disiplinore ka qenë autoritet i komandantëve të zonave, brigadave dhe të atij të përgjithshëm.
Gjithashtu, dëshmuari u pyet nëse kishte parë ndonjë raport të shkruar të shkëmbyer në mes Selimit dhe komandantit të përgjithshëm, por që përgjigja e tij nuk u dëgjua. Më pas, seanca kaloi në sesion privat me kërkesën e avokatit Roberts për t’i bërë disa pyetje.
Pasi u hap seanca, sërish u diskutua lidhur me çështjen e inspektorit të përgjithshëm e që para se të kalohet në pushim me kërkesën e Roberts u pranuan disa dokumente në prova materiale. /BpD/