Ish-deputeti i PD Gerti Bogdani është përcjellë për në banesën e fundit pas homazheve të mbajtura për rreth 3 orë në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë.
Me lot e dhimbje, familjarë, miq, kolegë të politikës dhe njerëz të zakonshëm nderuan kujtimin e ish-deputetit i cili u nda papritur nga jeta një ditë më parë për shkak të një ataku kardiak.
Mbahen homazhet për Gerti Bogdanin në ambientet e parlamentit
Në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë kanë nisur të mbahen homazhet në nder të ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani i cili u nda nga jetë një ditë më parë për shkak të një ataku kardiak.
Gerti Bogdani do të përcillet ditën e sotme drejt banesës së fundit pasi humbi jetën në mënyrë tragjike ditën e djeshme, në moshën 44-vjeçare.
Kolegë nga të gjitha krahët e politikës, miq e qytetarë të shumta kanë pritur në radhë para ambienteve të Kuvendit për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-deputetit Bogdani.
Luçiano Boçi: Lamtumirë Gert në emër të familjes sonë politike. Do jesh gjithmonë pjesë e kumtit politik të PD
“Trishtimi dhe hidhërimi ynë dhe i familjes sonë politike është po kaq i madh edhe sa i familjes së tij, parajsës së tij.
Gerti vërtet sot udhëton drejt parajsës, por me atë bindjen e madhe që ai dinte dhe kishte ndërtuar parajsën e tij të vogël, në familjen e tij, në shoqërinë e tij.
Pse jo edhe te imponimi që sillte në Kuvendin e Shqipërisë si zë i fortë, me imponimin që sillte me zërin e tij në politikën shqiptare dhe me zërin e tij si njeri, shembull i të rinjve që duhte të ndërtojnë një karrierë politike të ndershme dhe të përkushtuar siç e kishte Gerti Bogdani.
Vërtet unë nuk e besoj ende, dhe të gjithë kolegët nuk e besojnë, ai do mbetet në kujtimet tona, ndoshta kujtimet nuk mjaftojnë dhe do donim që Gerti të ishte mes nesh, por ja që Zoti që bën shumë veprime të drejta, duket sikur sot na fut në atë meditimin se pse Gerti duhej të ikte kaq i ri dhe në kulmin e karrierës së tij politike dhe në kulmin e lumturisë së tij familjare.
Por, fatet ndonjëherë janë të tilla dhe detyra jonë është që ta nderojmë, ta respektojmë, ta mbajmë gjithmonë gjallë kujtimin e tij.
Lamtumirë Gert në emër të familjes sonë politike.
Shumë ngushëllime për familjarët, për fëmijët e tij, për fëmijët e tij, për bashkëshorten e tij, për të dashurit e tij.
Gerti do jetë gjithmonë pjesë e kumtimit dhe e kumtit politik të PD”, tha Boçi për mediat pas homazheve.
Liri Berisha në homazhet për Gerti Bogdanin: Do e kujtojmë me shumë respekt
Liri Berisha, bashkëshortja e ish u shfaq e prekur para mediave ku dha një mesazh ngushëllimi fillimisht për familjarët e ish-deputetit e më pas për miqtë dhe kolegët e tij. Ajo tha se do e kujtojnë “gjithnjë me shumë dashuri me shumë respekt, me shumë mirësi”.
“Asgjë nuk ka më shumë vlerë në këto momente se sa jeta e atij që iku. Në pozicionin e nënës dua të ngushëlloj prindërit në radhë të parë dhe lutem bashkë me ta të gjejnë forcën për ta kapërcyer këtë dhimbje e këputje të rëndë.
Edlirën, para të cilës dalim sot, e presin detyra shumë të rënda e të vështira. Ngushëllime të gjithë miqve shokëve me të cilët ai bëri një rrugëtim kaq të shkurtër por të bukur. Do e kujtojmë gjithnjë me shumë dashuri me shumë respekt, me shumë mirësi”,-tha Liri Berisha.
Gerti Bogdani ishte themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në botë.
Karrierën politike ai e nisi në vitin 2007, ku kandidon me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 në Tiranë, garë të cilën e fiton. Gjate kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD.
Në vitin 2009, Gerti Bogdani kandidon në zgjedhjet parlamentare dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë, kur ishte vetëm 29-vjeç.
Në vitet 2010 ai ka qenë një nga të rinjtë më premtues në Partinë Demokratike, duke patur një aktivitet të vrullshëm politik dhe si drejtues i FRPD-së.
Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave.
Në 2022 garoi në primaret e PD-së për të qenë kandidat për garën e Tiranës, në zgjedhjet vendore të 2023.
Gert Bogdani ishte i martuar me aktivisten e njohur Edlira Çepani dhe është babai i dy fëmijëve.