Blendi Çeka, nga DataCentrum, ishte pjesë e panelit të emisionit Barometri këtë të mërkurë, ku diskutoi strategjinë që do të duhet të ndjekë opozita për të pasur sukses në zgjedhjet e përgjithshme të vitit që vjen.
Sipas tij, mekanizmi i duhur do të jetë bashkimi në një front të madh opozitar, ku do të përfshihet jo vetëm Partia e Lirisë krah Partisë Demokratike, por edhe fragmente të tjera të opozitës
Duke sjellë në vëmendje këtë qasje, Çeka u shpreh se nëse kjo nuk ndodh, jo vetëm që do të ketë harxhim të madh të energjisë për secilën parti, por gjithashtu nuk do mundet që të arrihet një numër i lartë mandatesh.
“Raporti është mes territorit dhe mbështetjes që ti ke, e sa më mirë ti e njeh veten, automatikisht dhe mënyra si e njeh veten dhe investyon gjithë kapacitetet, arrin të bësh një program se ku pret më tepër ose më pak. Partia Socialiste është efikase nga mënyra si kërkon, nga pikëpamja e targetit. Opozita duhet të jetë më efikse. Në rast se opozita është e fragmentarizuar, nuk është thjesht problem PD-LSI, por nëse dalin dhe 4 ose 5 parti të reja që burojnë nga opozita dhe nuk arrijnë të përfshihen në një front, nga pikëpamja e sistemit ka kosto në mandate. Qëllimi final i opozitës është që të ketë një front të madh opozitar, ku përfshihet jo vetëm Partia e Lirisë, por çdo segment opozitar, ku përfshihen individë me reputacion brenda opozitës. Nuk ka lidhje shumë se sa punë bën një parti, por është efekt mekanik i sistemit që ndikon në mandate,”-u shpreh Çeka