Ervin Salianji kërkon pezullimin e dënimit në Gjykatën e Lartë

by Nexhat

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka bërë këtë të martë një kërkesë zyrtare në Gjykatën e Lartë për pezullimin e dënimit të tij me burg.

Salianji u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë në kuadër të çështjes së njohur si “Babale”.

Në kërkesën e tij, deputeti i PD kërkon që ekzekutimi i dënimit të pezullohet deri në përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata e Lartë, duke argumentuar se procesi ka qenë i parregullt dhe se vendimi i marrë është i diskutueshëm

Në kërkesë theksohet se pezullimi i dënimit është i rëndësishëm për ruajtjen e mandatit të deputetit që është marrë nga populli.

“Në lidhje me cilësinë aktuale të deputetit, do i referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në zbatim të nenit 164 të K.Zgjedhor1, çka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit”, thuhet në kërkesë

“Duke qenë se kërkuesi Ervin Salianji është zgjedhur deputet nga populli me mbi 10 mijë vota preferenciale në zgjedhjet e vitit 2021, zgjedhje këto të zhvilluara pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (18.12.2019), vendim ky i lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është tregues i shkakut të veçantë që paraqet ky rast në kuptim të nenit 476 pika 1 të K.Pr.Penale. Besimi me votë që i ka dhënë populli, pavarësisht një vendimmarrje gjykate të dhënë më parë, është tregues i veçantisë që ka rasti objekt shqyrtimi, për më tepër që sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”, sipas kërkesës.

Avokatët e Salianjit pretendojnë se dënimi është i motivuar politikisht dhe nuk bazohet në prova të mjaftueshme, duke theksuar se klienti i tyre nuk duhet të vuajë dënimin deri sa të përfundojë procedura gjyqësore në instancat më të larta.

Kërkesa e sotme vjen në një klimë të nxehtë politike, ku shumë zyrtarë të Partisë Demokratike kanë shprehur mbështetje për Salianjin, duke e cilësuar dënimin e tij si një goditje ndaj fjalës së lirë dhe një përpjekje për t’i mbyllur gjuhën opozitës.

Në lidhje me dënimin e Salianjit, opozita pritet të nis më 7 tetor nga Tirana mosbindjen civile, e cila sipas zyrtarëve të PD do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy