Konjufca: Rusia nuk ka hequr dorë nga “bota ruse” e as Serbia nga “bota serbe”

by Nexhat

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, sot ka mbajtur fjalim në konferencën “Impakti i agresionit rus në Rusi dhe në gjeopolitikën evropiane”, organizuar nga Instituti për Studime të Luftës Hibride, OCTOPUS.

Konjufca ka thënë se pasojat e agresionit rus në Ukrainë kanë ndikuar në paqen, stabilitetin, sigurinë, politikën dhe gjeopolitikën e Evropës më shumë se çdo konflikt tjetër që prej Luftës së Dytë Botërore.

“Në adresimin e tij para të pranishmëve kryetari Konjufca tha se pasojat e agresionit rus në Ukrainë kanë ndikuar kontinentin evropian, paqen, stabilitetin, sigurinë, politikën dhe gjeopolitikën e tij, më shumë se çdo konflikt tjetër që prej Luftës së Dytë Botërore”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Konjufca ka thënë se lufta në Ukrainë është betejë vendimtare për rendin demokratik në Evropë.

“Kreu i Kuvendit tha se për shkak të mosdhënies së një përgjigjeje të vendosur në vitin 2014 ndaj pushtimit rus të Krimesë, por trajtimi i Rusisë si partneri despotik me të cilin mund të bashkëpunohej ekonomikisht, duke supozuar gabimisht se synimet pan-ruse të Putinit ishin të kufizuara, Evropa sot po ballafaqohet me një luftë e cila nuk ka të bëjë vetëm me fatin e Ukrainës si shtet sovran dhe me dinjitetin e ukrainasve si komb, por kjo luftë përbën edhe një betejë vendimtare për rendin demokratik në Evropë, të ndërtuar pas rënies së “Perdes së Hekurt” më 1989.”

Ai ka thënë Rusia nuk ka hequr dorë nga “bota ruse” dhe as Serbia nuk ka hequr dorë nga “bota serbe”.

Konjufca ka shtuar se sulmi i Banjskës ishte “replikë identike e sjelljes agresore të Rusisë ndaj Ukrainës”.

“Në kontekstin tonë rajonal dhe ballkanik, agresioni pushtues i Rusisë në Ukrainë paraqet aktin e parë të një strategjie destabiliteti të Evropës, ku natyrisht Ballkani, me Serbinë si një zgjatim të Rusisë do të ishte akti i dytë i kësaj strategjie. As Rusia e as Serbia nuk kanë hequr dorë nga kjo strategji, sepse as Rusia nuk ka hequr dorë nga ‘bota ruse’, e as Serbia nuk ka hequr dorë nga ‘bota serbe’. Sulmi terrorist ndaj Kosovës në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar ishte një replikë identike e sjelljes agresore të Rusisë ndaj Ukrainës. Trupa paramilitare serbe, të trajnuara nga ushtria serbe, të pajisura me arsenal luftarak të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, si dhe në zbatim të aspiratës së Beogradit për ndarjen e Kosovës, synuan aneksimin e veriut, me ç’rast në mbrojtje të sovranitetit, integritetit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës u vra oficeri i Policisë së Kosovës, tashmë heroi, Afrim Bunjaku”, tha Konjfuca.

Ai tha se Serbia gjithnjë është rreshtuar kah Lindja

“Në vazhdim të fjalës së tij kreu i Kuvendit të Kosovës tha se dualizmi është armë e njohur e Serbisë në arenën ndërkombëtare, për realizimin e interesave të veta, por po aq i njohur është edhe fakti që Serbia kurrë në historinë e saj nuk ka qenë një kështjellë ku është mbrojtur Perëndimi, sepse pas çdo lufte Serbia gjithnjë është rreshtuar kah Lindja. Pra, në këtë luftë të Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit të vet, shtoi kryetari Konjufca, Serbia nuk është aleat i saj, por thjesht po përfiton duke bërë biznes e duke shitur armët e prodhimit të saj.”

“Përpjekja për destabilizimin e Bosnjës përmes Dodikut që promovon çdo ditë shkëputjen e Republikës Srpska dhe bashkimin e saj me ‘botën serbe’, refuzimi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën përmes njohjes faktike që kornizon Marrëveshja e Brukselit dhe përpjekja për ndryshimin e orientimit euro-atlantik të Malit të Zi, janë gjurmë konkrete të një politike që synon të minojë çdo progres që investimi euro-perëndimor ka pasur në rajonin tonë”, tha Konjufca

Ai tha se në rajon nuk do të ketë stabilitet pa u arritur stabilizimi i demokraicsë në secilin prej shteteve, e në veçanti heqja dorë e Serbisë prej aspiratave të saj hegjemoniste.

“Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se në rajonin tonë nuk do të ketë stabilitet pa u arritur stabilizimi i demokracisë në secilin prej shteteve, e në veçanti kjo nënkupton pa heqjen dorë të Serbisë prej aspiratave të saj hegjemoniste, të cilat prekin pavarësinë dhe sovranitetin e të paktën tri shteteve të saja fqinje.”

“Nuk mund të ketë unitet pa barazi, sikurse nuk ka garanci për lirinë pa demokraci. Mendoj që këto janë fundamentet për të cilat sot Perëndimi po mbështet në Ukrainë dhe duhet t’i mbështesë edhe në Ballkan”, tha Konjufca

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy