Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin për dy zyrtarë policorë në dy raste të ndryshme në Prishtinë dhe në Mitrovicë.Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate për media se ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë për dy raste të ndara, njëri në Prishtinë dhe tjetri në Mitrovicë, shkruan Gazeta Express.
Rasti në Prishtinë, siç bën të ditur IPK lidhet me një plagosje me armë zjarri që ka ndodhur në rrugën “Mukadeze Lika” sot pas orës 12:00.
IPK ka dalë në vendin e ngjarjes pasi që dyshohet se në këtë rast është i përfshirë një zyrtar policor
“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operative policore. Pasi që në rast dyshohet se është përfshirë një zyrtar policor janë njoftuar menjëherë edhe hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në veprimet fillestare hetimore në këtë rast është lënduar një person nga shkrepja e armës”, thuhet në njoftim.
Personi i lënduar i gjinisë femërore është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që hetuesit e IPK në koordinim Prokurorinë dhe IPK-në pritet të ndërmarrin veprime hetimore.
“E lënduara është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë dhe IPK-në pritet të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore. I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) është shoqëruar në Inspektoratin Policor përderisa është rekomanduar suspendimi i tij si dhe i është konfiskuar arma zyrtare e cila dyshohet se është përdor në këtë rast”, thuhet në njoftim.
Rasti tjetër në të cilin IPK ka rekomanduar masën e suspendimit ka ndodhur në Mitrovicë. Në këtë rast IPK ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri policor më dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këto raste për të sqaruar rrethanat e të dy rasteve.