Lushaku-Sadriu: Kurti pa vizion të qartë për veriun, po e dëmton rëndë Kosovën

by informim

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se në bazë të veprimeve të kryeministrit Albin Kurti lidhur me situatën në veri të vendit, nuk ka një vizion të qartë se ku dëshiron të dalë me vendimet e tij, përveçse po e dëmton rëndë Kosovën.

Ajo ka thënë se si LDK do të kërkojnë përgjegjës për veprimet e tij, që sipas Lushakut vazhdojnë të mos jenë të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare.

“Nuk i besojmë se është koordinuar dhe që të gjitha 27 shtetet e BE-së, BE-ja përfshirë edhe Britaninë e Madhe, të gjitha këto reagime ndërkombëtare janë e kundërta e asaj që thotë z.Kurti. Reagimet kanë treguar vërtetë befasinë që u ka sjellë z.Kurti. Si kryeministër ke përgjegjësi të jashtëzakonshme posaçërisht të koordinohesh për veprimet e juaja me ndërkombëtarët, sepse aty ka KFOR, ka prezencë ndërkombëtare dhe implikime me një minoritet për të cilin Kosova ka obligime ndërkombëtare dhe si kryeministër dhe parti politike në pushtet, duhet të tregosh seriozitet kur bëhet fjalë për qasjen ndaj minoriteteve sepse në një proces të rëndësishëm siç është dialogu, ka implikime. Atë që garantojmë është se do të kërkojmë përgjegjësi për veprimet e tij, me vigjilencën më të lartë do të kërkojmë përgjegjësi edhe në kuptimin parlamentar edhe publik që të raportojë për vendimet e tij dhe konsekuencat që do t’i kemi si shtet, pse po e bën dhe ku do të dalim”, ka thënë ajo të martën në “Interaktiv” të KTV-së.

Lushaku-Sadriu ka akuzuar Kurtin se është personalitet që ka shpërputhje totale mes asaj që flet dhe asaj që bën.

“Në politikë është shumë e rëndësishme të jesh konsistent kur premton diçka, kur qëndron për disa vlera, t’i mbrosh ato kur je posaçërisht në pushtet dhe të qëndrosh për to e t’i çosh përpara. Këto nuk i kemi parë për kauzat për korrupsionin, të negociatave me Serbinë, e në asnjë prej pikave që ai i ka premtuar. Kjo lëvizje në qëndrime i huton qytetarët dhe tregon një rrjedhë komplet jologjike të qëndrimeve të tij politike dhe kjo është tragjike, është me konsekuenca për Kosovën”, ka thënë ajo.

Ajo më tej ka shtuar se LDK-ja dëshiron shtrirje të sovranitetit, por kjo të bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Ne qëndrojmë prapa asaj që kemi thënë, dëshirojmë ligjshmëri, rend dhe ligj, kushtetutshmëri në gjithë territorin e Kosovës, jemi për shtrirje të sovranitetit por para së gjithash jemi për koordinim të këtyre proceseve me miqtë tanë ndërkombëtarë sepse janë dy shina të trenit që duhet të shkojnë paralel”, është shprehur ajo.

Lushaku-Sadriu ka vlerësuar se ka një moskoordinim midis Kurtit dhe presidentes Vjosa Osmani, e sipas saj, ende nuk ka qëndrime të qarta lidhur me situatën në veri.

“Kemi kërkuar që Presidentja të flet, të marrë qëndrim dhe të flasë qartë nëse dakordohet me të gjitha këto qëndrime. Nuk ka qëndrime të qarta përderisa ka bërë thirrje, ka bërë takime, ka bërë thirrje që nuk janë në harmoni me atë që thotë kryeministri. Si duket ka një moskoordinim, por është e rëndësishme që Kosova të ketë një presidente që del mbi partitë politike dhe kujdeset për interesin nacional, në rast se kjo nuk do të ndodhë, ne do të kërkojmë përgjegjësi edhe nga ajo”, ka thënë ajo.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy