Tri marrëveshje të reja u nënshkruan sot në samitin e Procesit të Berlinit.
Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në prani të kancelarit Olaf Scholz, nënshkruan për njohjen reciproke të kualifikimeve akademike dhe të diplomave, një plan të ri veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe për zhbllokimin e Marrëveshjes e Tregtisë së Lirë, CEFTA.
Scholz tha se këto marrëveshje “do ta bëjnë më të lehtë jetën e njerëzve”.
Në samit ishte e pranishme edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përveç përfaqësuesve nga disa vende të Bashkimit Europian.
Përveç kryeministrave dhe përfaqësuesve nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Kosova, të pranishëm në këtë event ishin dhe përfaqësues nga vendet e Bashkimit Europian, përfshirë presidenten e komisionit, Ursula von der Leyen.
Presidentja e KE-së tha se Procesi i Berlinit ka qenë forcë shtytëse dhe “promotor i tregut të përbashkët rajonal”.
Kryeministri Albin Kurti tha në këtë samit se Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) është “një nga të arriturat më të mëdha të këtij procesi”.