Dje është mbyllur komuna paralele e Skenderajt në Mitrovicë të Veriut, ndërsa sot është intervistuar përgjegjësi i saj.
Këtë e ka konfirmuar shefi i Operativës Rajonale për Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza.
“Po, sot me datë 17.10.2024 është paraqitur në stacion me avokatin e tij dhe kanë shfrytëzuar të drejtën është mbrojtur në heshtje”, ka thënë Fejza.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me kontrollin që është bërë të mërkurën në komunën paralele të Skenderajt që vepronte në Mitrovicë të Veriut.
Sipas raportit bëhet e ditur se gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dokumente dhe pajisje të cilat vërtetojnë se në këtë objekt ilegal janë lëshuar dokumente të falsifikuara.
“Lidhur me rastin më datë 16.10.2024, njësit policore pas informacioneve të marra nga rrugët operative, kanë zhvilluar kontrolle në objektin nën pronësi të Trepçës, pasi që në atë lokacion ishte duke funksionuar komuna paralele e Skenderajt. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dokumente dhe pajisje të cilat vërtetojnë se në këtë objekt ilegal janë lëshuar dokumente ilegale të falsifikuara. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e policisë.
Ndërkohë, dje gjatë ditës, Veton Elshani zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut tha se gjatë verifikimeve policore në terren kishin ardhur deri tek informacioni se Komuna Paralele e Skenderajt është aktive në territorin e Mitrovicës Veriore