Bayern Munich ka shënuar fitore me rezultat të thellë 5-0 në udhëtim ndaj Bochum në kuadër të javës së tetë në Bundesliga.
Michael Olise (16’) hapi serinë e golave për bavarezët duke realizuar një gol të bukur nga gjuajtja e lirë për rezultatin 1-0.
Vetëm dhjetë minuta më vonë, Bayerni gjeti edhe golin e dytë, kësaj radhe me Jamal Musialan (26’) që realizoi me kokë për rezultatin 2-0 pas krosimit të Joshua Kimmich
Në pjesën e dytë bavarezët shënuan edhe tre gola të tjerë, për të kompletuar kështu një fitore të madhe në udhëtim.
Për rezultatin 3-0 u përkujdes Harry Kane që me gjakftohtësi finalizoi aksionin pas një asistimi nga Musiala.
Leroy Sane në minutën e 64-të shënoi për rezultatin 4-0, teksa për epilogun përfundimtar të takimit realizoi Kingsley Coman (5-0) në minutën e 71-të.
Me këtë fitore Bayerni lë pas krahëve humbjen e thellë ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve dhe tashmë udhëheq në Bundesliga me 20 pikë të grumbulluara, po aq sa ka edhe Leipzig në vendin e dytë.
Javën e ardhshme Bayerni do të jetë nikoqir i Union Berlinit në ‘Allianz Stadium’ por fillimisht do të luajë ndaj Mainzit në Kupën e Gjermanisë.