Pjesëtari i FSK-së, Hisni Gecaj, i plagosur më 04.08.2023 në incidentin në lokalin “Bon Vivant”, ku kishte mbetur i vrarë një person, ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën e Prishtinës në rastin ku i akuzuar për vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore është Andi Pajziti.
Hisni Gecaj tha se atë ditë kishte shkuar në “Bon Vivant” pasi kishte lënë një takim me një shok të tij, e në hyrje të lokalit kishte parë tashmë të ndjerin duke folur në telefon me dikë
Herën e parë dëshmitari pasi kishte parë Andi Pajazitin të ulur në tavolinën ku qëndronin i ndjeri dhe Dukagjin Lekaj dhe disa persona të tjerë, kishte shkuar që të shikonte nëse situata ishte e qetë. Të përfshirit në rast i kishin thënë se gjithçka është në rregull
Gecaj tregoi detaje nga momenti kur kishte kuptuar se situata i ishte dukur e acaruar mes Andi Pajaziti dhe Dukagjin Lekajt të cilët ishin kokë më kokë dhe mimikat e fytyrës nuk dukeshin të zakonshme.
“Tash u bindën me shku me folë në një tavolinë. Në anën e majtë janë kanë do persona që as s’i kam njoftë edhe unë thash OK t’shkoj edhe unë pak në tavolinë deri t’ia nisë pak muhabeti pasi i njifsha të dy palët. Kur jena shku te tavolina Dukagjini, i ndjeri, unë, Andi edhe shoku i tij, tash shokut të Andit dhe Kastriotit nuk jua kam kushtuar rëndësinë fare e kam shikuar me shumë Andin dhe Dukagjinin, të gjithë të tjerët kanë qenë ulur përpos meje, e di që dorën e majtë ia kam vendos Andit e të djathtën ia kam vendos Dukagjinit, mirëpo m’u ka dokë që muhabeti ka fillu i relaskuar pastaj kam folë edhe me K…, edhe nuk më kanë dhanë shenja që don me ndodhë diçka, edhe mbas 1 minute jam largu me kërkesën e tyre, ma bojshin: “Në rregull”. Andi ma bojke: “Në rregull, mos ta nin”. Ndoshta m’kanë pa që jam ma i shqetësum edhe Duakgjini njëjtë ka vepruar edhe apet kam qëndru edhe një gjysmë minuti edhe ma kanë bo me gisht si shenjë që “gjithçka është në rregull”, tha dëshmitari
“E kam pa që Dukagjini dhe Andi folshin kokë më kokë, edhe do mimika, edhe m’u ka dokë që është në prag të eskalimit, pastaj kam shku drejt te të dytë, jam mundu që me kriju sado distancë mes tyre derisa ka fillu tani rrahja, po unë nuk kam mujtë me i qetësu”, vazhdoi tutje dëshmitari.
Gecaj tha se sulmi kishte ndodhur pas shpinës së tij, dhe kishte ndjerë që Andi Pajaziti i ishte peshuar në trup. Dëshmitari tha se kishte dëgjuar të shtëna dhe se kishte parë tashmë të ndjerin duke u rrëzuar në tokë.
Dëshmitari tha se derisa kishte ndodhur rrahja dhe gjuajtja me armë, në vazhdimësi e kishte mbajtur dorën e Dukagjin Lekajt, me qëllim që të mos gjuante
Nga këto të shtëna dëshmitari tha se ka pësuar edhe vetë plagë në këmbë.
Dëshmitari tha se përpos punës që bën si pjesëtar në FSK, nuk kishte punuar asnjëherë në lokalin “Bon Vivant”, në asnjë pozitë.
Për këtë rast sipas tij ishte suspenduar në atë kohë nga FSK dhe i ishte shqiptuar një dënim nga institucioni.
Si ishte kryer vrasja sipas Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, rasti kishte ndodhur më 04.08.2023 rreth orës 23:17 ku paraprakisht ishin të ulur i pandehuri, i cili gjendet në arrati, Dukagjin Likaj, bashkë më tani të ndjerin K.R.
Dosja e përshkruan se Likaj ishte ai që e kishte ftuar të akuzuarin Pajaziti të ulet te tavolina e tyre.
Pas tensionimit të situatës, sipas Prokurorisë, ishte sigurimi Hisni Gecaj ai që ishte munduar ta qetësojë situatën, por nuk kishte arritur
Dosja e Prokurorisë përshkruan se tashmë i ndjeri K.R. e kishte sulmuar me shishe dy herë në kokë të akuzuarin Pajaziti.
Pas këtij sulmi, i akuzuari e kishte nxjerrë armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, siç përshkruhet në aktakuzë “pa fajin e tij, pa menduar për pasojat”, shtien më armë zjarri me ç’rast e godet tashmë të ndjerin K.R.
Sipas dosjes së Prokurorisë, armën e kishte nxjerrë edhe Dukagjin Likaj, gjatë kësaj kohe ia kishte mbajtur dorën sigurimi Hisni Gecaj, kurse arma ishte e drejtuar në drejtim të të akuzuarit Pajaziti.
Dosja thotë se Dukagjin Likaj ka shtënë me armë në drejtim të të pandehurit Pajaziti me ç’rast e “ka lënduar në bërrylin e dorës së majtë” dhe si të tilla bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore me pasoja të përhershme shëndetësore
Vdekja e të ndjerit, sipas Prokurorisë, ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme e cila ka çuar në shok hemorragjik, si pasojë e predhës së armës së zjarrit.
Arma e cila është përdorur, sipas Prokurorisë, është tip “Smith” e kalibrit 9mm.
Për të, i akuzuari përveç kryerjes së vrasjes, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Pajaziti është duke qëndruar nën masën e paraburgimit. Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 7 gusht 2023, së bashku me të dyshuarit, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.
Por Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë pas kërkesës së Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë në këtë rast në rrezik ishin jetët edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit
Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte K.R, i cili kishte vdekur në QKUK.
13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. /Kallxo.com/