Dy të burgosur kanë vdekur sot, për dy rastet ka dhënë detaje SHKK. Sipas tyre bëhet fjalë për vetëvrasjen e A.G., dhe vdekjen M.R., që ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore.
Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve informojnë se sot, pas një sëmundjeje të gjatë, ka ndërruar jetë i burgosuri me inicialet M.R.
Ai ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan më 23.10.2024, “në gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e një sulmi ishemik në tru një vit më parë dhe po trajtohej në Njësinë Shëndetësore të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, në njoftim thuhet se në “Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, rreth orës 19:00, është gjetur i vetëvarur me jelek të burgut në dhomën e tij i burgosuri me inicialet A.G.,”.
“Menjëherë pas zbulimit të rastit, oficerët korrektues dhe stafi shëndetësor i Qendrës ndërmorën të gjitha përpjekjet e nevojshme, duke e nisur me shenja jete në Emergjencën e SHSKUK-së, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve:
Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve informojnë opinionin publik se sot, pas një sëmundjeje të gjatë, ka ndërruar jetë i burgosuri me inicialet M.R. Ai ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan më 23.10.2024, në gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e një sulmi ishemik në tru një vit më parë dhe po trajtohej në Njësinë Shëndetësore të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.
Më 26.10.2024, me rekomandimin e mjekut të Njësisë Shëndetësore, ai ishte dërguar në Repartin e Neurologjisë të Spitalit Rajonal të Gjilanit, ku, pas trajtimit, ishte liruar me përmirësim të gjendjes shëndetësore. Gjatë transportit për në Stacionarin e Dubravës, gjendja e tij u përkeqësua, dhe ekipi mjekësor u detyrua ta dërgojë në Spitalin e Istogut. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë rreth orës 19:50; vdekja u konstatua nga mjekët e Spitalit të Istogut.
Gjithashtu, ju informojmë se në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, rreth orës 19:00, është gjetur i vetëvarur me jelek të burgut në dhomën e tij i burgosuri me inicialet A.G. Menjëherë pas zbulimit të rastit, oficerët korrektues dhe stafi shëndetësor i Qendrës ndërmorën të gjitha përpjekjet e nevojshme, duke e nisur me shenja jete në Emergjencën e SHSKUK-së, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka themeluar një Komision Hetues për të hetuar rrethanat e ngjarjes.
Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjet e të ndjerëve.
Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore të nevojshme, ndërsa autopsia do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes për të dyja rastet