Daniel Serwer, profesor amerikan shumë i njohur, dhe mbështetës i fuqishëm i Kosovës, ka komentuar rizgjedhjen e Donald Trumpit në funksionin e presidentit të ShBA-së. Në komentin e tij për KTV-në, profesori amerikan vlerësoi se “rizgjedhja e Trumpit do t’i inkurajojë etnonacionalistët në të gjithë rajonin”.
Tutje, ai ka shtruar edhe një pyetje retorike.
“Rizgjedhja e Trumpit do t’i inkurajojë etnonacionalistët në të gjithë rajonin. Nëse Ukraina ndahet, pse Serbia të mos përpiqet ta kapë veriun e Kosovës dhe Republikën Serbe? Pse Kosova të mos bashkohet me Shqipërinë? Uashingtoni madje mund të ndihmojë. Lufta do të jetë një mundësi reale. Pastrimi etnik dhe kolapsimi i shteteve mund të pasojnë. Gjatë gjithë kohës familja Trump do të përfitojë financiarisht nga investimet e financuara nga sauditët e Jared Kushner në Serbi dhe Shqipëri”, ka thënë Serwer.
Rizgjedhja e Trump në krye të Shteteve të Bashkuara ka shkaktuar pasiguri te shtetet që varen nga mbështetja amerikane, duke përfshirë vendet si Ukraina dhe rajoni i Ballkanit.