Një marrëveshje për armëpushim u ka dhënë fund luftimeve më shumë se njëvjeçare mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit të armatosur dhe partisë politike libaneze.
Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, konsiderohet një fitore e madhe për Izraelin, që ka arritur objektivat kryesore të luftës, thonë ekspertët.
Izraeli e ka dëmtuar rëndë Hezbollahun si fuqi ushtarake, si dhe si forcë politike dhe ekonomike në Liban.
Gjithashtu, Izraeli ka arritur të shkëputë sulmet me raketa dhe predha të Hezbollahut nga lufta në Gazë. Grupi i mbështetur nga Irani filloi sulmet menjëherë pas sulmit ajror dhe tokësor të Izraelit ndaj enklavës palestineze në tetor të vitit 2023.
Armëpushimi do t’i japë fund pranisë së Hezbollahut — një organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja, megjithëse BE-ja ka futur në listën e zezë vetëm krahun e saj të armatosur — në Libanin jugor, bastionin e saj. Izraeli, gjithashtu, duhet t’i tërheqë forcat e veta tokësore nga Libani.
“Izraeli mori marrëveshjen që dëshironte”, tha kreu i inteligjencës në konsulencën Le Beck International me bazë në Bahrein, Michael Horowitz.
“Disa në Izrael argumentojnë se do të ishte më mirë të vazhdohej lufta për të arritur shkatërrimin e plotë të Hezbollahut, por marrëveshja që Izraeli arriti është më e mira që mund ta shpresonte”, shtoi ai.
Mos e nënvlerësoni Hezbollahun
Sulmet shkatërruese ajrore të Izraelit në Liban kanë dëmtuar rëndë drejtimin dhe arsenalin ushtarak të Hezbollahut.
Por, ekspertët thonë se është ende herët për ta shpallur grupin si të zhdukur, pasi ai ka përfaqësues në Parlament dhe gëzon ende mbështetje nga komuniteti shiit në Liban.
“Hezbollahu tani është një hije e vetvetes së tij të dikurshme, por mbetet i rrezikshëm — si për Izraelin, ashtu edhe për shumë kundërshtarë të tij në Liban,” tha Matthew Levitt, nga Instituti i Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt
Megjithatë, lufta ka shkatërruar narrativën e grupit se është mbrojtësi i Libanit kundër Izraelit, thonë ekspertët.
Paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara shihen të pozicionuar përgjatë kufirit izraelito-libanez, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit më 27 nëntor 2024.
Paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara shihen të pozicionuar përgjatë kufirit izraelito-libanez, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit më 27 nëntor 2024.
Hezbollahu kishte premtuar se do t’i vazhdonte sulmet ndaj Izraelit derisa ky ta përfundonte luftën në Gazë. Por, grupi u detyrua të heqë dorë nga ky kusht.
Konflikti Izrael-Hezbollah ka lënë mbi 3.600 libanezë të vdekur, shumica civilë, dhe ka zhvendosur mbi një milion njerëz. Zona të mëdha të Libanit jugor dhe pjesë të kryeqytetit të tij, Bejrutit, janë shkatërruar.
“Jo vetëm që nuk arriti ta mbronte Libanin, por e tërhoqi atë në një konflikt për arsye jashtë interesave libaneze dhe tani praktikisht hoqi dorë nga kjo narrativë — pasi u shkëput nga Gaza”, tha Horowitz
“Grupi do të përballet me një krizë legjitimiteti dhe do të duhet të rindërtohet, dhe këtë do ta bëjë me një udhëheqje shumë më pak inteligjente dhe të aftë politikisht”, shtoi ai.
Hezbollahu nuk e ka komentuar publikisht marrëveshjen e armëpushimit. Por, Hassan Fadlallah, një deputet libanez dhe anëtar i Hezbollahut, insistoi se grupi do të mbetet i armatosur.
“Shumë grupe politike në Liban do ta kundërshtojnë këtë”, tha Assaad Bechara, një analist politik me bazë në Liban, për Radio Farda të REL-it.
“Hezbollahu nuk do të jetë i pranishëm në kufijtë jugorë të Libanit dhe nuk do të përballet me Izraelin, kështu që armët e tyre do të drejtohen [kundër Libanit]. Faza e tranzicionit e Libanit do të jetë shumë e vështirë dhe e pasigurt”, shtoi ai