Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka dhënë detaje për projektet që planifikon t’i realizojë në krye me të në Qeveri. Sonte para të pranishmëve, Abdixhiku në Pallatin e Rinisë, deklaroi se do të investohen 100 milionë euro për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Sportit në Bërnicë të Prishtinës. Investime tha se do të ketë edhe në kulturë e turizëm.
Abdixhiku tregon se prezentoi edhe “ndërtimin e 5 STADIUMEVE RAJONALE të kategorisë 3 dhe 4 të UEFA-s në Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Pejë e Prizren”
Për Kulturën, Abdixhiku ka planifikuar “Ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit Dr. Ibrahim Rugova, në vlerë prej 25 milionë eurove; Ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar të Kosovës; Ndërtimin e Muzeut Bashkëkohor në vlerë prej 10 milionë eurove; Themelimin dhe ndërtimin e Muzeut të Paqes dhe Rezistencës dhe adoptimin e 10 Qendrave Multifunksionale në 10 qytete të Kosovës, në modelin e adoptimit të Bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’ në Prishtinë”, shprehet Abdixhiku.
Teksa për turizëm, premtoi 80 milionë euro investime në resortin modern turistik në Brezovicë e 50 milionë euro investime në resortin e Pejës.
“Kosovës i duhen ambicie të mëdha. Ambicie që bëjnë të ardhmen e na nxjerrin nga moçali i thellë i pështymave, ndarjes e propagandës”, deklaron Abdixhiku.
Detaje shtesë për këto projekte mund të lexoni më poshtë: