Analisti Fatos Lubonja, në një intervistë me moderatoren Ina Qirjo në News 24 me anë të Skype komentoi mosbindjen civile të Partisë Demokratike
Lubonja tha se policia është unifikuar me pushtetin dhe se nuk është e depolitizuar. Ai tha se shanset për qeveri teknike janë të pakta. Lubonja theksoi se ndërkombëtarët po mbështesin Ramën, sepse iu intereson stabilo-kracia
“Mund të them se protesta është gjithmonë e mirë në çdo rast, është shenjë njerëzish që ruajnë nervin politik e sidomos në Shqipëri është e rëndësishme, ku nervi po mpihet. Në Shqipëri, skandali është bërë gati normalitet. Kur mpihet populli, për mua është negative. Kur në protestë shkelin disa rregulla, kalojmë tek mosbindja civile. Në Shqipëri, shoqëria civile është e zbehtë. Në lidhje me dhunën ndaj Gjekmarkaj, unë nuk mendoj se ai është ndër personat e dhunshëm në PD. Por përtej rastit, policia gjithmonë e më shumë është unifikuar me partinë në pushtet. Një nga thirrjet kryesore në vitet 1990 ka qenë depolitizimi i policisë
Nëse policia nuk është e varur nga ligji, por nga Rama, atëherë bëhet problem. Policia e tërhoqi zvarrë Ilir Metën, e nuk tërheq zvarrë ata të Partisë Socialiste. Kemi parë që abuzohej me gazin lotsjellës. Kemi parë edhe shoqërime pa fund nëpër komisariate. Berisha që doli mbrëmë mobilizon demokratët, por problemi kryesor është që a është bashkuese kjo figurë përtej militantëve. Sa i përket pjesëmarrjes së figurave të PL në protestë, mendoj se bashkimi i opozitës është ideja më e mirë. Shanset për qeveri teknike janë të pakta. Edhe PD vetë ka kontradikta. Rama mund të pranojë qeveri teknike vetëm nëse ka një ndërhyrje ndërkombëtare dhe ta detyrojnë. Ndërkombëtarët e kanë mbështetur Ramën, arsyet kryesisht i dimë, sepse ata duan stabilo-kraci”, deklaroi Lubonja