Carlos Tevez do të zhvillojë ndeshjen e lamtumirës më 20 dhjetor në stadiumin legjendar “La Bombonera”, në Buenos Aires, ku do të ketë mundësinë të përshëndetet për herë të fundit me tifozët e Boca Juniors.
Klubi argjentinas ka dhënë dritën jeshile për organizimin e ndeshjes speciale, e cila pritet të shndërrohet në një mbrëmje të veçantë për ish-sulmuesin, i cili e përfundoi karrierën si futbollist profesionist në vitin 2022.
Data është caktuar duke marrë parasysh kalendarin e ngjeshur të Boca Juniors, që është i angazhuar në garat vendore dhe ndërkombëtare.
Messi dhe Ronaldo, ëndrra e madhe e Tevezit
Një nga atraksionet kryesore të kësaj ngjarjeje mund të jetë prania e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.
Tevez dëshiron t’i bashkojë dy yjet më të mëdhenj të futbollit modern në të njëjtën fushë, në një ndeshje që do të tërhiqte vëmendjen e tifozëve nga e gjithë bota.
Megjithatë, pjesëmarrja e tyre ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Tevez ka luajtur me Messin te kombëtarja e Argjentinës, ndërsa me Ronaldon ishte bashkëlojtar te Manchester United, gjatë periudhës 2007–2009.
Nëse të dy pranojnë ftesën, do të ekzistonte mundësia që për herë të parë të luanin në të njëjtin ekip.
Yje të tjerë pritet të jenë të pranishëm
Në mesin e emrave që mund të marrin pjesë në ndeshjen e lamtumirës janë edhe legjendat e Boca Juniors, Martín Palermo, Guillermo Barros Schelotto dhe Juan Román Riquelme.
Organizatorët synojnë të mbledhin edhe futbollistë të tjerë që kanë ndarë fushën me Tevezin gjatë karrierës së tij të pasur.
Përveç ndeshjes, janë planifikuar edhe shfaqje muzikore, me synimin që ngjarja të shndërrohet në një festë të madhe për tifozët dhe një përshëndetje të paharrueshme për ish-sulmuesin argjentinas.
Tevez, i cili ka fituar trofe të rëndësishëm me Boca Juniors, Manchester United, Manchester City dhe Juventusin, do të ketë kështu mundësinë ta mbyllë simbolikisht karrierën në stadiumin që ka një rëndësi të veçantë për të.

