Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot një delegacion të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i tij, Alain Berset.
Presidenti Begaj nënvizoi rolin dhe kontributin që Shqipëria ka dhënë në 30 vjetët e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.
Njëkohësisht, ai shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin që Shqipëria ka patur dhe ka me KiE në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Shqipëria, tha Presidenti i Republikës, “mbetet plotësisht e angazhuar për të vazhduar të bashkëpunojë dhe kontribuojë në kuadër të Këshillit të Evropës dhe institucioneve të tjera të lidhura me të”.
Kreu i Shtetit nënvizoi se Kosova është një realitet i pakthyeshëm dhe, si e tillë, ajo duhet të jetë plotësisht e integruar në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës.
“Gjeografia është shumëçka. Kosova është gjeografikisht në Evropë. Populli i Kosovës meriton të jetë i integruar në organizatat evropiane. Ne duhet të ndërtojmë ura dhe jo mure, duhet t’i ndërtojmë ato sot në paqe. Kështu nuk do të lejojmë përsëritjen e historive jo shumë të largëta të konfliktit dhe dhunës ndëretnike që kanë ndodhur në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Presidenti i Republikës