Nga Bashkimi Demokratik për Integrim janë shprehur se po ndjekin me shqetësim raportimet mediatike, tek të cilat u tha se Komuna e Çairit blen një shishe ujë 250ml për 60.25 denarë.
Nga BDI kanë kërkuar më shumë transparencë se si shpenzohen paratë publike
Reagimi i plotë:
“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) po ndjek me shqetësim raportimet mediatike në lidhje me blerjet e dyshimta publike në Komunën e Çairit, ku sipas informacioneve të publikuara, çmimi i blerjes së ujit të pijshëm arrin në 60.25 denarë për 250 ml.
Kjo çështje ka ngritur reagime të shumta në opinion dhe ka shtuar nevojën për transparencë të plotë në mënyrën se si shpenzohen paratë publike.
BDI kërkon nga autoritetet komunale të japin një sqarim të qartë dhe të padiskutueshëm për këtë rast, të publikojnë të gjitha të dhënat përkatëse dhe të largojnë çdo dyshim për abuzime të mundshme
Në një komunë që tashmë vuan prej vitesh nga mafia urbane dhe kaosi që ka dëmtuar cilësinë e jetës së banorëve, çdo dyshim mbi keqpërdorimin e fondeve publike e rëndon edhe më shumë situatën dhe dëmton besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.
BDI mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të transparencës dhe përgjegjshmërisë dhe do të vazhdojë të kërkojë llogari të qarta dhe masa të duhura për mbrojtjen e interesave të qytetarëve”, thonë nga BDI.