Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi, në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka përmendur edhe rezultatet nëpër disa komuna Veriore të Kosovës ku një parti ka marrë edhe 80 % të votave,
Krasniqi s’e ka përmendur Listën Serbe me emër, megjithatë ka thënë se fakti që një parti politike i merr 80 % të votave një gjë e tillë flet shumë për demokracinë.
“Ne e dimë që veç në Veri kemi pasur raste tyneher me 80 % të votave që i ka marrë një subjekt, edhe sivjet kena pas raste me 80 % që i ka marrë një subjekt, që flet shumë për demokracinë. Po s’po du me hi në atë debat, po du me hi në debatin komplet profesional edhe me u bazu në rregulla dhe procedura”, ka thënë Krasniqi teksa ka folur për disa probleme teknike për një kuti votimi në Mitrovicë, çështje të cilën e ka ngritur fillimisht anëtari i PDK-së, Ilir Gashi.
Nëse “flet shumë për demokracinë” fakti që “Lista Serbe” në Zveçan ka marrë 74. 87 % të votave dhe në Komunën e Parteshit 89.16 %, atëherë kjo kritikë e Krasniqit vlen edhe për partinë e tij “Lëvizja Vetëvendosje” e cila në zgjedhjet e fundit ka kërkuar pushtet absolut në Kosovë dhe “zhdukje të opozitës”.
Përgjatë gjithë fushatës së 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin kishte pasur kërkesë qendrore të fushatës marrjen e 500 mijë votave, që do t’i mundësonte Kurtit një pushtet absolut, meqë marrja e një numri të tillë të votave përkthyer në përqindje i bie rreth 70 % nga totali i atyre që kanë votuar dhe do t’i mundësonte Kurtit të sundonte Kuvendin e Kosovës me deputet.
Megjithatë, ndonëse Kurti kishte kërkuar referendum në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe më shumë vota se sa kishte marrë në zgjedhjet e fundit, partia që drejton ka marrë vetëm 342 mijë e 254 vota, apo rreth 100 mije vota më pak se në vitin 2021.
Kjo ia ka pamundësuar kryeministrit në detyrë që të krijojë i vetëm Qeverinë e re të Kosovës dhe do t’i duhet një koalicion me një prej partive opozitare. Situatën më shumë e komplikon edhe fakti se Kuvendin e ri e pret përpara edhe sfida e zgjedhjes së presidentit, gjë për të cilën duhen 2/3 e votave të të gjithë Kuvendit të Kosovës